Katër atentate në 48 orë! Bilanc tragjik në Shqipëri: Tre të vrarë e 5 të plagosur

Policia vijon hetimet për të katërta ngjarjet, tre nga të cilat rezultojnë ende pa autor.
SHQIPËRI-Në 48 orët e fundit Shqipëria është tronditur nga një varg atentatesh të cilat kanë përpapur shqetësim në opinionin publik. Një bilanc tragjik, ku janë shënuar tre viktima dhe pesë të plagosur. Të katërta ngjarjet janë karakterizuar, si rrjedhë e historive që lidhen me konflikte dhe hakmarrje të hershme mes familjeve ose pazareve kriminale. Policia vijon hetimet për të katërta ngjarjet, tre nga të cilat rezultojnë ende pa autor.

26 Shtator 2023/ RRËSHEN/ Vritet Martin Bardhi

Bardhi u qëllua përpara lokalit në pronësi të tij në qendër të qytetit. Gjatë atentatit janë plagosur dhe Olti Gjini, Ilir Bardhoku dhe Indrit Bardhi të cilët u dërguan në Spitalin e Traumës dhe rezultojnë jashtë rrezikut për jetën. Dyshimet e para janë që ngjarja të ketë ndodhur për shkaqe hakmarrje, kjo për shkak të konflikteve mes fisit Bardhi dhe Reçi. Bardhi sapo ishte liruar nga burgu nën masën e sigurisë me detyrim paraqitje, pasi në muajin Mars ai ishte arrestuar si një nga autorët e dyshuar të vrasjes së Saimir Reçit. Policia ka ngritur dhe pistën e larjes së hesapeve për pazaret e drogës, pasi hidhen dyshime se djali i viktimës, i cili është në kërkim, ushtron aktivitet ilegal jashtë vendit.

27 Shtator 2023/SUKTH/ Vritet Fatjon Dervishi

Fatjon Dervishi mbeti i vrarë me 15 plumba Fatjon Dervishi. 38-vjeçari, u qëllua me dy plumba, kur po udhëtonte në një makinë tip “Audi” bashkë me një shokun e tij të ngushtë E. Sh., i cili mbijetoi. Policia po heton disa pista lidhur me vrasjen, nga pista e hakmarrjes lidhur me disa konflikte të vëllait të viktimës Fatbardh Dervishi dhe hakmarrja për dyshimet e vrasjes dhe zhdukjes së vëllezërve Malshi. Policia ka shoqëruar shtatë persona lidhur me ngjarje. Duhet thënë se viktima rezulton nën hetim në shtetin e Holandës për trafik të lëndëve narkotike.

28 Shtator 2023/ MALËSI E MADHE/ Vritet Zef Guri dhe plagoset dhe djali i tij Gjin Guri

Ngjarja e parë është vrasja e Zef Gurit 73-vjeç dhe plagosja e djalit të tij Gjin Guri 43-vjeç. Sipas hetimeve policore shënjestra e atentatit ka qenë djali i viktimës Gjin Guri, një emër i njohur për policinë. Gjin Guri rezulton i dënuar me 7 vite burg për kanosje dhe armëmbajtje pa leje. Në vitin 2015, Gjin Guri ka shkëmbyer zjarr me policinë në një aksion anti-kanabis në parcelat me kanabis në njësinë Shosh në Dukagjin. Në 15 nëntor të vitit 2021, në lokalin e tij në Malin e Shoshit u vendos tritol. Organet hetimore kanë ngritur pistën e larjes së hesapeve si pasojë e pazareve për trafikimin e lëndëve narkotike.

28 Shtator 2023/ MALËSI E MADHE/ Plagoset Emanuel Guri

Ngjarja tjetër e ndodhur në Malsinë e Madhe ishte plagosja e Emanuel Gurit në fshatin Grizë, si pasojë e një konflikti mes tre personave. Në polici është shoqëruar autori Sadonerl Bushataj, ndërsa në kërkim është shpallur Arsid Kurtaj, i përfshirë në konflikt. Emanuel Guri u shoqërua në spitalin e Shkodrës ku rezulton jashtë rrezikut për jetën. Policia vijon hetimet për zbardhjen e ngjarjes