Kapet në Rinas një izraelit me 194 mijë euro

RINAS- Një 45-vjeçar izraelit është proceduar penalisht pasi tentoi të dalë nga Shqipëria me 194 mijë euro të padeklaruara. Paratë iu gjetën gjatë kontrollit në vijën e dytë në Rinas. Shuma e parave u sekuestrua nga policia.

NJOFTIMI I POLICISË:

PKK Rinas

Kontrolle të shtuara nga shërbimet e Policisë Kufitare Rinas, për parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare.

Tentoi të dalë nga Republika e Shqipërisë me 194.000 euro të padeklaruara, procedohet penalisht 45-vjeçari izraelit.

Sekuestrohet shuma e parave.

Si rezultat i kontrolleve të imtësishme në hyrje/dalje të vendit, me objektiv parandalimin dhe konstatimin e paligjshmërive në kufi, shërbimet e Policisë Kufitare të Rinasit, në bashkëpunim me shërbimet doganore, kanë goditur një tjetër rast të mosdeklarimit në pikën e kalimit kufitar, të shumave të konsiderueshme të parave.

Për këtë rast u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin V. Y., 45 vjeç, me shtetësi izraelite, të cilit gjatë kontrollit në vijën e dytë iu gjetën 194.000 euro që synonte të dilte nga Republika e Shqipërisë pa i deklaruar konform ligjit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.