Kapet i dënuari për vjedhje në Elbasan

Elbasan – Vijojnë kontrollet për kapjen e shtetasve në kërkim. Si rezultat i bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacioneve ndërmjet strukturave të Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë dhe Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan, u bë e mundur lokalizimi dhe arrestimi i një 29-vjeçari të shpallur në kërkim.

Shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Elbasan organizuan punën për kapjen e shtetasit që fshihej në qytet. Në rrugën “17 Marsi” u lokalizua, u kap dhe u vu në pranga shtetasi me iniciale E. Gj., 29 vjeç, banues në Elbasan.

Sipas njoftimit zyrtar, ai ishte shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Nr. 1, pasi Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin e datës 14.10.2025, e ka dënuar me 1 vit e 8 muaj burgim për veprën penale “Vjedhja”.

Veprimet e mëtejshme procedurale do të kryhen nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.