KAOSI ME DIGJITALIZIMIN/ e-Albania si Ngushtica e Hormuzit, herë hapet, herë mbyllet! Bizneseve iu bllokohet puna

Edhe sot bizneset vijuan të raportojnë probleme me funksionimin e portalit e-Albania, duke krijuar vështirësi në procedurat e përditshme që nga shkarkimi i faturave të fiskalizuara dhe marrjen e shërbimeve të tjera.

Bizneset dhe kontabilistët pohojnë të shqetësuar se situata është shoqëruar me ndërprerje dhe rikthime të vazhdueshme të sistemit, duke sjellë konfuzion, por edhe bllokim të punës së tyre.

“Edhe sot nuk logohesh tek e-Albania. Dhe nuk logohesh as ne SelfCare”, pohon për Monitor një drejtues biznesi.

Përveç pamundësisë së marrjes së shërbimeve nga e-Albania, aktiviteti i tyre po bllokohet edhe për shkarkimin e faturave të fiskalizuara, ku nëpërmjet portalit bëhet ndërlidhja me SelfCare.

Gjendja në e-Albania, ku sistemi herë funksionon dhe herë del jashtë shërbimit, po përshkruhet nga bizneset e ngjashme me situatën e Ngushticës së Hormuzit si “clopened”, një përzierje mes “closed” (mbyllur) dhe “open” (hapur).

“Sistemet e shtetit janë si ngushtica e Hormuzit: njëherë hapen, njëherë mbyllen”, përshkruan situatën me e-Albania një drejtues biznesi.

Deri tani ende nuk ka një një sqarim nga AKSHI për shkakun e problematikës, ndërsa bizneset thonë se mosfunksionimi i sistemit, pothuajse ka bllokuar punën e tyre të përditshme.

Edhe dje bizneset ngritën shqetësimin për mosfunksionimin e portalit e-Albania, çka solli pezullimin e disa procedurave, si: mosshfaqje të të dhënave për taksat e bashkisë dhe sistemi nuk realizonte kryqëzimin me databazat e tjera, duke sjellë vonesa dhe vështirësi në marrjen e shërbimeve; nuk pranonte aplikimet me nënshkrim elektronik, duke shfaqur mesazh gabimi dhe duke penguar përfundimin e procedurave; nuk shkarkohen faturat e fiskalizuara

Teksa AKSHI njoftoi se platforma e re e-Albania, e ridizenjuar, dhe modernizuar është funksionale.

Pak ditë më parë e-Albania njoftoi se portali nuk do të jetë funksional për 3 ditë, përkatësisht për ditët nga 15 deri mëngjesin e 18 Majit, për shkak të përmirësimit të infrastrukturës dhe teknologjisë për aksesimin./ Monitor