Kaos total nëpër rrugë: Bllokohet aksi Librazhd-Prrenjas, probleme me qarkullimin edhe në rrugën alternative

Probleme me qarkullimin në rrugën alternative Lozhan–Moglicë–Gramsh, ku ARRSH devijoi qarkullimin për shkak të bllokimit të aksit Librazhd–Përrenjas. Mësohet se në zonën e Moglicës kanë mbetur të bllokuar tre trajlerë.

Sipas informacioneve, deri më tani është e pamundur të bëhet hapja e qarkullimit për shkak të bllokimit nga trajlerët, të cilët kanë kaluar nga Elbasani dhe janë lejuar nga policia e Librazhdit të kalojnë në këtë segment. Policia e Korçës ndodhet në vendngjarje, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje për hapjen e qarkullimit të mjeteve.

Qarkullimi u devijua në këtë rrugë për shkak se në mesditë ARRSH njoftoi ndalimin total të mjeteve në aksin Librazhd–Përrenjas për shkak të urës që po shembet në zonën e njohur si “Arrat e Gurrës”. Qindra drejtues mjetesh dhe pasagjerë kanë mbetur të bllokuar për orë të tëra në të dy anët e segmentit Librazhd–Përrenjas.

Shumë kanë vendosur të mos presin më, por të gjejnë vetë alternativa për të vijuar udhëtimin. Zgjidhja e improvizuar ka qenë devijimi nga qyteti i Librazhdit, duke ndjekur rrugën rurale përmes fshatit Spathar, më tej përgjatë itinerarit rruga Egnatia – fshati Dardhë, për të zbritur sërish në segmentin kombëtar Hotolisht–Përrenjas.

Megjithatë, kjo rrugë alternative, ndonëse po shërben si “valvul shkarkimi” për trafikun e rënduar, paraqet vështirësi të shumta pasi është një aks rural, me gjerësi të kufizuar dhe infrastrukturë jo të përshtatur për fluks të lartë mjetesh, çka ka sjellë kolona të reja dhe lëvizje të ngadaltë.

Banorë dhe drejtues mjetesh shprehen se situata kërkon ndërhyrje të shpejtë dhe zgjidhje të qëndrueshme, pasi ky aks është jetik për lidhjen mes zonave të lindjes dhe pjesës qendrore të vendit. Deri në një njoftim të dytë nga autoritetet, lëvizja mbetet e kushtëzuar dhe e pasigurt, ndërsa drejtuesit këshillohen të shmangin segmentin e bllokuar dhe të informohen paraprakisht për gjendjen e rrugëve.