Kryeministri Edi Rama deklaroi se duke nisur nga janari, pensionet do të pësojnë rritje. Rama tha se është i lumtur për vendimin që mori qeveria, duke plotësuar kështu sipas tij një nga premtimet elektorale.
“Mbrëmë i përcollëm Parlamentit projekt buxhetin 2026 dhe jam i lumtur ,se kam përdorur ndonjëherë këtë fjalë, por jam i lumtur të them që ky mandat do të jetë mandati i rritjes së përvitshme të pensioneve.
Më në fund pikërisht sepse nuk jemi më ai vendi që me zor mbahej në këmbë por me një ekonomi të qëndrueshme që rritet çdo vit, mund të bëjmë atë që premtuam. Të rrisim çdo vit pensionet sipas objektivave.
Nga janari, rritje e shtrirë muaj për muaj përmbi indesksimin e përvitshëm.
Sipas kategorive në fund të mandatit duhet të arrijmë që pensioni mesatar të rritet:
Pensioni urban me vite të plota pune të shkojë 40.000 lekë nga 27 350 që është sot
Pensioni urban i pjesshëm të shkojë mesatarisht 22.000 lekë nga 15 850 që është sot
Pensioni rural të shkojë 18 mijë lekë nga 11.500 lekë që është sot
Pensioni familjar të shkojë 18000 lekë nga 11.400 që është sot.
Në vitet në vijim shifrat do të dy-fishohen, trefishohen dhe katërfishohen vit pas viti. Ky jam unë, këta jemi ne. Themi atë që bëjmë dhe bëjmë atë që themi”, tha ai.













