71-vjeçari i identifikuar si Agostino Sellitri ka humbur jetën pas vendosjes së një implanti dentar në Shqipëri. Mediat italiane shkruajnë se ai ka mbërritur në Shqipëri në fillim të dhjetorit të këtij viti për t’iu nënshtruar trajtimit dentar, por një atak në zemër e vrau atë një ditë pasi iu nënshtrua trajtimit ortodontik.
Ende nuk është e qartë nëse vdekja është e lidhur me trajtimin dentar, por Presidenti i Shoqatës Kombëtare të Stomatologëve Italianë të Barit dhe Bat, Fabio De Pascalis, ka paralajmëruar të gjithë ata që i nënshtrohen trajtimeve me kosto të ulët.
“Rreth korrelacioneve dhe implikimeve që mund të ketë shkaktuar ajo ndërhyrje e ndjej për detyrë në emrin tim dhe të gjithë kolegëve të mi t’u referohem rregullave të maturisë dhe vëmendjes kur dikush vendos të ndërmarrë një udhëtim të këtij lloji. Premtimet për ndërhyrje dentare me kosto të ulët fshehin gracka dhe rreziqe që nuk mund të injorohen. Për më tepër, këta pacientë rekrutohen në mënyrë delikate dhe jo shumë transparente. I bëjmë thirrje të gjithëve që të mos mashtrohen. Kostoja e ulët shpesh nënkupton kujdes të dobët, mospërmbushje të kohës së nevojshme klinike, si dhe stres të tepruar fizik dhe psikologjik për pacientin. Shumë më tepër se shpesh na takon ne të riparojmë dëmet e bëra diku tjetër”, tha Presidenti i Shoqatës Kombëtare të Stomatologëve Italianë të Barit dhe Bat, Fabio De Pascalis.
