Itali – Humb jetën një 23-vjeçar shqiptar pas një konflikti pranë Universitetit

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në orët e para të mëngjesit të së shtunës në Peruxhia, ku një i ri shqiptar ka humbur jetën si pasojë e një konflikti të ndodhur pranë Universitetit të qytetit.

Sipas autoriteteve italiane, viktima është identifikuar si Hekuran Cumani, 23 vjeç, banues në Fabriano (Ancona). Ngjarja ndodhi në një parking pranë “Departamentit të Matematikës dhe Shkencave Kompjuterike”, ku i riu ishte ndalur me miqtë e tij për t’u argëtuar.

Prokuroria e Peruxhias e ka cilësuar rastin si vrasje me dashje, pas një debati që dyshohet se nisi për motive të parëndësishme. Gjatë përplasjes, një person ende i paidentifikuar dyshohet se ka përdorur një mjet prerës, duke i shkaktuar plagë të rënda në zonën e qafës dhe të gjoksit. Shërbimet mjekësore mbërritën menjëherë në vendngjarje, por i riu nuk arriti të mbijetonte.

Sipas dëshmive të shokëve dhe miqve të afërt, Hekurani përshkruhet si një djalë i qetë, i edukuar dhe i apasionuar pas palestrës dhe jetës së shëndetshme.

Policia italiane është duke shqyrtuar pamjet filmike të kamerave të sigurisë dhe ka marrë në pyetje dëshmitarët për të identifikuar autorin e dyshuar. Hetimet janë ende në vijim.

Ngjarja ka shkaktuar reagim edhe nga autoritetet vendore, të cilët në një deklaratë publike shprehën ngushëllimet për familjen dhe e cilësuan ngjarjen si një “humbje që ka prekur gjithë komunitetin”.