Arbër Paplekaj, ish-efektiv i RENEA-s, i arrestuar për vrasjen e biznesmenit Pjerin Xhuvani, i njohur si “Pipi”, në Elbasan, është liruar nga burgu pas ndryshimeve në vendimin e Apelit.
Pas dënimit fillestar me 22 vite burg nga Gjykata e Elbasanit, Paplekaj kërkoi rihapjen e procesit. Gjykata e Apelit në Tiranë uli dënimin në 7 vite dhe ndryshoi akuzën nga “vrasje në rrethana cilësuese” në “vrasje në kushtet e tronditjes psikike”.
Në të njëjtën kohë, Apeli shpalli të pafajshëm gjashtë efektivë të njësisë “Shqiponjat” dhe dy ish-zëvendësdrejtorë të Policisë së Elbasanit, të cilët më parë ishin dënuar me shërbim prove.
Rasti kishte përfshirë shkëmbim zjarri ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani dhe u plagosën disa persona të tjerë. Paplekaj kishte pranuar krimin dhe u vetëdorëzua, duke deklaruar se veprimi ishte për vetëmbrojtje pas një incidenti ku sipas tij ishin përfshirë persona që po kryenin veprime për blerje votash.














