Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, e deklaroi fajtor për korrupsion pasiv ish-kryeinspektorin e Mbrojtjes së territorit në Elbasan, Andri Mehja dhe të akuzuarin si bashkëpunëtor, Gentian Bako, por i pezulloi dënimet dhe I vendosi në shërbim prove.
NgaEdmond Hoxhaj 17:54 | 25/04/2025 Në Lajme Kohe leximi: 1 min për lexim
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë vendosi të premten më 25 prill deklarimin fajtor të ish-kryeinspektorit të Mbrojtjes së Territorit në Elbasan, Andri Mehja dhe të pandehurin tjetër, Gentian Bako, të akuzuar për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim. Gjykata e ka dënuar Mehjan me 3 vjet burgim dhe në aplikim të gjykimit të shkurtuar prej nga përfitohet ulja e 1/3-ës së masës, është caktuar dënimi përfundimtar më dy vjet heqje lirie. Po ashtu, është caktuar dhe dënimi plotësues për heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për një periudhë 5-vjeçare.
Megjithatë, gjykata ka vlerësuar të pezullojë masën e dënimit për Mehjan, duke e vendosur në shërbim prove për katër vjet, ka hequr masën e sigurimit personal “arrest në burg” të caktuar më parë ndaj tij, si dhe ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm.
Dënim i njëjtë është dhënë dhe për të pandehurin tjetër, Gentian Bako.
Në nëntor të vitit të kauluar, SPAK kërkoi gjykimin e të pandehurve, që u akuzuan se kanë shfrytëzuar detyrën duke i kërkuar një shtetasi përfitim të parregullt financiare prej 250 mijë lekësh, në këmbim të uljes së masës administrative të caktuar për një ndërtim pa leje. Sipas SPAK, Mehja ka nënshkruar brenda ditës dy vendime administrative, i pari për prishjen e një objekti të kundërligjshëm dhe i dyti për vendosjen e një gjobe.
