Nga Bardha Nergjoni
ELBASAN/Qytetarët e Elbasanit u përballën me një investim transformues jo për mirë të parkut “Rinia”. Parku u rikualifikua si pjesë e programit ‘Rilindjes Urbane’ të qeverisë shqiptare. Puna për konkretizimin e projektit nisi në vitin 2017 dhe mori formën e tij përfundimtare në vitin 2018 ndërsa në dorëzim u mor gati 2 vite më vonë nga bashkia Elbasan.
Premtimet dhe deklaratat e drejtuesve politikë dhe e pushtetarëve lokalë në kohën e fillimit të investimit, janë shumë larg asaj që qytetarët përfituan nga ky investim.
Kompania hollandeze e përzgjedhur pa garë për hartimin e projektit të rikualifikimit të parkut e ka cilësuar projektin e hartuar prej saj një harmonizim i së kaluarës me të tashmen e qytetit të Elbasanit.
Në faqen web të Boom Landscape, parku Rinia cilësohet si një sallon i qytetit dhe elementët e shtuar janë për të gjitha moshat. “Një pistë vrapimi 400 metër, mobilje për lloje të ndryshme përdorimi dhe takimesh, tavolina për të luajtur shah dhe për piknik, një ring, një squash box, një rrëshqitëse, një tribunë janë pjesë e ansamblit. Pjesa më e madhe e mobiljeve urbane janë vendosur në pjesën hyrëse të parkut për të shënjuar kalimin nga qyteti në park”.
Ndërkohë përdorimin e betonit dhe gurit kompania e lidh me të kaluarën e qytetit. “Copëzat janë bazuar në forma kubike me bazë çimenton. Nuk është zgjedhur rastësisht pasi çimento bën pjesë në kulturën ndërtuese të Shqipërisë ish komuniste. Ndërkohë një pjesë e mobiljes është mbuluar nga gurët e lumit që gjithashtu ka një lidhje me Elbasanin”.
Kompania ka një shpjegim për ndërhyrjen në pjesën e përparme të varrezave të dëshmorëve dhe në kanionin që përshkon përmes parkun. “Ristrukturimi përmirëson edhe rrjetin e parkut që më parë ishte kaotik dhe nuk lidhte me objekte apo struktura të tjera dhe kjo e bënte jo të përdorshëm në mënyrë optimale. Kështu hapja e një pjese të varrezave të dëshmorëve do e kthente atë në një vend më intim të të dashuruarve ku do të mbilleshin pemë dhe bimë shqiptare autoktone që do ta kthenin këtë kënd të kultivuar e me shumë ngjyra”.
Kanalin që përshkon parkun, kompania projektuese e ka quajtur kopshtin e restaurimit ose kopshtin e freskisë siç do ta cilësonte më vonë arkitekti përgjegjës i bashkisë Elbasan. “Forma e tij e çrregullt është menduar për freskinë dhe nëse hyhet në çdo pjesë nëpërmjet shkallëve. Kanioni nuk është menduar në vijë të drejtë edhe për të krijuar dimensione të ndryshme në cdo pjesë të tij. Ndërtimi I është referuar Elbasanit dhe historisë së tij. Muret janë realizuar me gurë të Shukmbimit ndërkohë që urat prej metali të lidhura me të kaluarën industriale”.
Arkitekti i bashkisë Elbasan Gentian Tabaku më herët në një intervistë për median ka theksuar se duke qenë se parku nuk ndryshon funksion, nuk parashikohet në ligj konsultimi me publikun.
Ndërkohë sa i përket konsultimit me ekspertët, ai theksoi se projekt ideja fillestare e realizuar nga Drejtoria e Projektimit pranë bashkisë Elbasan u bë në bashkëpunim me studion hollandeze BOOM LANDSCAPE, e specializuar në projektim arkitektonik peisazhi. Sipas tij kjo studio ka shumë projekte të ngjashme në vendet evropiane. Ndërkohë projekti i zbatimit u hartua plotësisht nga stafi i drejtorisë së Projektitmit në Bashkinë Elbasan, që sipas Tabakut ka në përbërje të saj specialistë të të gjitha fushave të nevojshme për këtë projekt.
Realiteti i sotëm i parkut “Rinia”
Qytetarët dhe ekspertët janë të mendimit se parku është rikonstruktuar keq duke shtuar betonin dhe minimizuar gjelbërimin. Po kështu konsiderohen zgjedhje të gabuara format kuadratike prej betoni me funksion uljen e qytetarëve në vend të stolave klasikë që i nevojiten një parku përgjatë të gjithë hapësirës së sij dhe sidomos në zonat e hijëzuara prej pemëve.
Shumë struktura nuk e kanë marrë funksionin e tyre të projektuar duke u kthyer në një shembull të keq të zgjedhjes urbanistike në rikualifikimin e kësaj hapësire.
Ekspertja urbaniste Doriana Musai e pyetur mbi ndryshimet që duhet ti bëhen parkut tha se heqja e betonizimit në pjesën fundore do të ishte zgjidhja me e mirë për ti kthyer funksionin real parkut. “Heqja e betonit, shtimi i gjelbërimit, shtimi i ndriçimit, i stolave, largimi i shkurreve të shkurtra që pengojnë shikimin dhe zëvendësimi i tyre me pemë të larta që krijojnë freski e hije do të ishin disa nga ndërhyrjet e para”.
Ajo ka mendimin se parku duhet të shikohet si një hapësirë miqësore dhe jo kufizuese për fëmijët dhe për ndërhyrjet e përmirësimit të merret mendimi I komunitetit.
“Hapësirat e kufizuara dhe të izoluara, për të siguruar pengesat e nevojshme për fëmijët e grupmoshave të vogla do të duhen të zëvendësohen me materiale miqësore për ambientin dhe fëmijën. Hekuri, betoni, struktura apo platforma të ngritura pa vijëzuar apo sinjalizues, përbëjnë rrezik për fëmijët, si të tilla ato gjenden krejt të braktisura nga funksioni në park. Pra ndërhyrja, do të duhet bërë pas një observimi të hapësirës dhe studimi të mirëfilltë, që të jetë funksionale dhe gjithëpërfshirëse. Përdoruesit e parkut, komuniteti që e frekuenton do të duhen bërë pjesë në planifikim”.
Ndërkohë ekspertë të mjedisit propozojnë që të shtohet gjelbërimi në park me bimë autoktone që krijojnë hije dhe freski si dhe shërbejnë për edukimin me njohuri mbi biodiversitetin për të rinjtë. Ahmet Mehmeti, inxhinier pyjesh në profesion, thotë se dëmet që i janë bërë parkut janë vështirësisht të zhbëshme. “Nuk e di sa mund të kthehet parku në gjendjen e mëparshme. Vështirë se do të kemi një zona totalisht të gjelbër dhe të freskët por të paktën të shtohet gjelbërimi pasi është i nevojshëm dhe pemët të jenë autoktone të natyrës sonë shqiptare”.
Albana Drenogllava, arkitekte në profesion thotë se bërja funksionale e hapësirave që sot nuk kanë një funksion dhe janë braktisur duke krijuar vend për veprimtari jo të ligjshme, do ta bënte parkun një hapësirë më miqësore sidomos për rininë që thuajse i mungon parkut ose përmendet për keq. “Biblioteka rinore, në hyrje-daljen e parkut, kinema verore në hapësirën ndarëse të parkut, galeri për ekspozita të punimeve rinore do ta bënin parkun më interesant dhe me më shumë të rinj në park”.
Nga një pyetësor i realizuar me të rinjtë në Qytetin e Elbasanit mbi frekuentimin e parkut, sigurinë dhe ndryshimet që ata kërkojnë, rezultoi se 43.7 % e të pyeturve e konsiderojnë parkun aspak të sigurt dhe mbi 45% I japin sigurisë në park notë kaluese. Në pyetësor u përgjigjen 220 të rinj nga shkollat e mesme të qytetit të Elbasanit. Ajo çfarë u vu re në analizën e të dhënave të pyetësorit ishte se një përqindje mjaft e lartë e të rinjve kalojnë pak kohë të lirë në park.
Edhe pse parku u rikonstruktua vitet e fundit të rinjtë kërkojnë shtim të gjelbërimit, vendosjen e stolave, shtimin e ndriçimit në pjesët e brendshëm të parkut, shtimin e koshave të mbeturinave, vendosja e kamerave të sigurisë për rritjen e sigurisë në park. Bërja funksionale dhe të sigurtë e shëtitores nëntokë. Shtim të prezencës së policisë në park për ta bërë atë më të sigurët.
Rudina një vajzë-15 vjeçare, nxënëse në shkollën e mesme “Luigj Gurakuqi” thotë se ndryshimet më të rëndësishme që duhen bërë në park janë ndriçimi që duhet të jetë funksional dhe i plotë duke mbuluar të gjithë parkun. Mbyllje të kanalit që ndan në dy pjesë parkut pasi është kthyer në vend konsumi droge dhe prostitucioni. Shtim të stolave përgjatë rrugicave, kthimin parkut hapësirave të zaptuara nga privatët, shatërvanët të jenë funksionalë dhe të pastër si dhe heqjen e kubikëve të mëdhenj prej betoni”.
Bashkia Elbasan në përgjigje të një kërkese për informacion e quan të konsultuar projektin duke përdorur procesin Buxhetim me Pjesëmarrje, që në fakt nuk është një proces konsultimi publik, siç edhe ligji e përcakton. Bashkia në përgjigjen e saj konfirmon se prioriteti ka dalë nga takimet me grupe të ndryshme të grupeve të interesit publik duke justifikuar nevojën për ndërhyrjen por jo formën e ndërhyrjes që mbetet e pakonsultuar me qytetarët dhe grupet e interesit.
Objekti i përfunduar është marrë në dorëzim nga bashkia dhe kompanisë i janë likujduar në bazë të kontratës 217 milion lekë të reja.
Aktualisht parku “Rinia” ka në total 14 punonjës shërbimi. Ndërkohë sa i përket kanalit të Parkut sipas bashkisë ruhet funksionaliteti sipas konceptimit të projektit fillestar nëpërmjet agjensisë së shërbimeve publike dhe instancave përkatesë të ruatjes së sigurisë.
Parku në shërbim të bizneseve dhe jo qytetarëve
Ajo çfarë përbën shqetësim nga qytetarët është fakti se mungesa e stolave është zëvëndësuar nga zënia e hapësirave publike me tavolina nga baret që shfrytëzojnë parkun Rinia në të katër anët e tij. “Nuk ka stola por ka tavolina pafund të kafeneve që kanë zënë hapësirën e parkut dhe po ja marrin frymën. Nuk di në paguajnë apo jo por mund të them që duket sikur investimi i parkut është bërë për këto bare” shprehet një e moshuar që dëshiron të mbetet e paidentifikuar.
Sipas informacionit të dhënë nga ana e bashkisë Elbasan sipërfaqja në metër katrorë për 7 subjekte që shfrytëzojnë hapësirën e parkut Rinia është 513.5 metër katrorë. Vlera që ka vjelur bashkia Elbasan për një vit për të gjitha këto subjekte është rreth 12.5 milion lekë. Peshën më të madhe me mbi 600 mijë lekë e zë bar Kaprico në anën jugperëndimore të parkut me 240 metër katror të faturuar.
Mjafton një vështrim i lirë për të kuptuar që hapësira që kanë shfrytëzuar subjektet sidomos gjatë verës është shumë herë më e madhe nga çfarë është faturuar si taksë publike nga bashkia. Madje një subjekt nuk paguan zënie të hapësirës publike edhe pse të gjithë qytetarët e kanë konstuatuar se pemët e parkut shërbejnë si hije për shumë tavolina plastike të vendosura përreth këtyre bareve që rrethojnë hapsirën publike.
Nisma për të përmirësuar parkun
Një grup të rinjsh kanë ndërmarrë nismën ‘Shkëndija’ për vendosjen e stolave në parkun Rinia. Ulëset e parashikuara dhe të zbatuara në projektin e rikualifikimit janë disa blloqe betoni dhe struktura të tjera me bazë betonin që janë vendosur tërësisht në diell duke kufizuar mundësitë për qytetarët që të kalojnë kohë nën freskinë e pemëve në park.
Nga kontaktet e vazhdueshme me bashkinë Elbasan, drejtues të saj kanë konfirmuar vendosjen e stolave. Kryetari i bashkisë Gledian Llatja ka theksuar se është çështje ditësh vendosja e stolave në park, por deri në publikimin e këtij shkrimi stolat vazhdojnë ti mungojnë parkut ndërkohë që karriket dhe tavolinat plastike të bareve përreth mbushin në të katër anët këtë hapësirë publike, që në fakt duhet të ishte vend shlodhjeje dhe aktivitetesh të ndryshme në natyre.
Të rinjtë do të vazhdojnë të sensibilizojnë komunitetin dhe institucionet. “Ne do të vazhdojmë ti mëshojmë faktit që parku ka nevojë për elementë të tillë si stolat, ndriçimi, më shumë kosha, më shumë hapësira të sigurta për të rinjtë dhe më shumë aktivitete që vërtet rinia të kalojë kohë cilësore në park. Është detyra e institucioneve të reflektojnë dhe të përmirësojnë sado pak pasojat e një investimi të gabuar” thotë Agim Gremi, një prej aktivistëve të nismës së parkut.
Qytetit të Elbasanit i nevojiten më shumë hapësira të gjelbra për të rritur kështu cilësinë e jetesës për të gjithë komuntetin e Elbasanit dhe nisma për ta konkretizuar këtë nevojë tashmë ka nisur.
