TIRANË- Struktura e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar (SPAK) kërkon 10 vite burg për Lefter Kokën për inceneratorin e Fierit. Me gjykim te shkurtuar shkon në 6 vite e 8 muaj burg.
Ndërsa për ish-zyrtarin e Partisë Socialiste, Alqi Bllakon kërkon 7 vite që me gjykim të shkurtuar shkon në 4 vite e 8 muaj. Ndërsa për Klodian Zoton kërkon 12 vite që me gjykim të shkurtuar shkon në 8 vite.
Në total për 15 të pandehurit, SPAK kërkon 84 vite burg. SPAK ka ashpërsuar akuzën e ngritur ndaj Alqi Bllakos, nga “korrupsion i funksionarëve publikë” në “korrupsion të zyrtarëve shtetërorë”. I ka ndryshuar masa edhe Dervishajt nga “korrupsion në sektorin privat” në “korrupsion në sektorin publik”. E së fundmi Zotos i shtohet dhe një akuzë, “krijimi i skemave të mashtrimit”.
Për mediat, avokati i Bllakos tha se gjykata duhet të mbajë një qëndrim të thjeshtë sa kohë i qëndron të njëjtës akuzë, duhet ta pushojë çështjen penale për korrupsion.
“Ne e kemi deklaruar edhe para gjykatës së seancës paraprake se akuzat e ngritura kanë qenë të padrejta dhe ta pareferuara në faktet penale. Këtë fakt e identifikoi edhe gjykata e seancës paraprake. I qëndrojmë të njëjtës gjë si në seancën paraprake. Gjykata duhet të mbajë një qëndrim fare të thjeshtë sa kohë i qëndron të njëjtës akuzë, duhet ta pushojë çështjen penale për korrupsion.
Ngelet vetëm një akuzë ajo e shpërdorimit të detyrës dhe akuza tjetër bie. Është një qëndrim ligjor dhe jo në përputhje me kodin e procedur3ës penale. Unë e kam deklaruar që SPAK vepron jo referuar vendimeve të gjykatës duke dëmtuar interesat e qytetarëve në përgjithësi. Nëse gjykata nuk mban qëndrim korrekt, gjykata e seancës paraprake del jashtë loje. Prokuroria nuk dha asnjë argument”- tha avokati i Alqi Bllakos, Sokol Hazizaj.
Dënimet që kërkon SPAK
Lefter Koka 10 vjet, me gjykim të shkurtuar 6.8 vite burg
Alqi Bllako 7 vjet me gjykim të shkurtuar 4.8 vite burg
Klodian Zoto 12 vjet me gjykim të shkurtuar 8 vite burg
Pellumb Abeshi 4 vjet. Është pranuar gjykimi i shkurtuar
Florian Muçaj 3 vjet Është pranuar gjykimi i shkurtuar
Azem Shatëri 3 vjet Është pranuar gjykimi i shkurtuar
Erjon Murataj 4 vjet Është pranuar gjykimi i shkurtuar
Sabina Cenameri 4 vjet Është pranuar gjykimi i shkurtuar
Arben Dervishaj 4 vjet me gjykim të shkurtuar 2.8 vite burg
Loran Dusha 8 vjet Është pranuar gjykimi i shkurtuar
Arjola Kodra 3 vjet Është pranuar gjykimi i shkurtuar
Arbër Denizi 7 vjet Është pranuar gjykimi i shkurtuar
Juri Imeraj 7 vjet Është pranuar gjykimi i shkurtuar
Regan Merdani 4 vjet Është pranuar gjykimi i shkurtuar
Gentian Zifla 4 vjet Është pranuar gjykimi i shkurtuar
Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Alqi Bllako akuzohet se ka përfituar afro 14 milion e 600 mijë lekë pasi ka falsifikuar dokumente për të shpronësuar një tokë për ta kthyer nga një tokë arë në truall në bashkëpunim me ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka e kryetarin e shpronësimeve, Pëllumb Abeshi. Por, Koka ndodhet pas hekurave për këtë çështje prej më shumë se dy muajsh, edhe pse e ka apeluar disa herë masën e sigurisë duke përdorur si justifikim edhe gjendjen e tij shëndetësore.
