TIRANË- Ish-ministri Lefter Koka mohoi të gjitha akuzat që janë ngritur ndaj tij në lidhje me inceneratorin e Elbasanit. Ai tha se gjithçka kundër tij është e stisur nga Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi.
“Kjo është e stisur nga presidenti me fallxhoren e tij, që thoshte mejhaneve që do më fuste në burg. SPAK u bazua tek kallëzimi LSI, për 2 vite nuk më pyeti. Unë, si ministër, Sekretari i Përgjithshëm zbatuam ligjin, punuam me devotshmëri.
Është kohë e vështirë që kërkon burra e burrni, por unë s’i kam borxh askujt ta paguaj me lirinë time. Akuza e prokurorisë është idiote, hyra në politikë si biznesmen, nuk më bëri politika biznesmen. Nuk i kam futur dorën askujt në xhep” tha ai.
Sipas avokatit të Kokës, procedurën e koncesionit nuk e hap ministri, por Komisioni i Vlerësimit të Ofertave dhe se çdo vendimmarrje e komisionit ka kaluar edhe në filtrat e Këshillit të Ministrave duke ia kaluar “topin” e fajit qeverisë me në krye Edi Ramën.
SPAK ka kërkuar 10 vite burg për ish-ministrin që me aplikim të gjykimit të shkurtuar nëse shpallet fajtor, do të dënohet me 6.8 vite burg.
Seanca për Inceneratorin/ Bllako para gjykatës: Jam i pafajshëm! Nuk kisha asnjë rol në lidhje me këtë çështje
Pas dëshmisë së Lefter Kokës, përballë trupit gjykues ka folur edhe Bllako.
Ai shprehet shprehet se është i pafajshëm dhe nuk ka lidhje me akuzat e bëra ndaj tij. Bllako thekson se nuk ka pasur asnjë rol në lidhe me inceneratorin e Elbasanit.
“Jam i pafajshëm. Në cilësinë e sekretarit të pergjithshem të ministrisë nuk i kam patur rol në zgjedhjen e anëtarëve të komisionit të vlerësimit të ofertave. Kam patur rolin e zyrtarit që kryente vetëm shkresa përcjellëse mes institucioneve. Nuk kisha asnjë rol në lidhje me inceneratorin e Elbasanit”, ka thënë Bllako.
Nga ana tjetër, ish-ministri Lefter Koka u shpreh se se nuk i ka borxh askujt ta paguaj me lirinë e tij dhe në këtë situatë ndodhet prej ish-presidentit Meta.
