Ilir Daja vlerësohet me çmimin “Trajneri i vitit 2023”

Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja, është ndjerë i vlerësuar pas marrjes së çmimit si “Trajneri i vitit 2023” nga portali Telegrafi, duke thënë se ky është një sukses i përbashkët.

Daja në sezonin e tij të dytë si trajner i Ballkanit solli titullin e dytë kampion në histori të klubit, teksa ata u kualifikuan gjithashtu në grupet e Ligës së Konferencës, po ashtu për herë të dytë.

Ai e mposhti konkurrencën e ashpër të Dritës për titullin e kampionit në Superligë edicionin që lamë pas, ndërsa këtë sezon përkundër të gjitha parashikimeve, e dërgoi Ballkanin në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, duke mposhtur në Prishtinë gjigantin kroat, Dinamo Zagreb.

Sot ndihem i vlerësuar që ndodhem këtu në portalin tuaj dhe është një sukses që  ka shumëtoren e përbashkët, ka emëruesin e përbashkët, ka punën në grup”, ka thënë fillimisht Daja pas marrjes së çmimit nga Telegrafi.

Daja nuk la pa përmendur edhe presidentin bashkë me drejtuesit e klubit dhe lojtarët, duke thënë se ata janë aktorët kryesorë në sukseset e Ballkanit.

Kush është Ilir Daja?

Kujtojmë se në verën e vitit 2005 Ilir Daja u emërua  ne krye te stolit të Elbasanit, pas largimit të të ndjerit Artan Bushati.

E vërteta ishte që Daja po menaxhonte për herë të parë një ekip në kategorine kryesore të futbollit shqiptar, dhe për më tepër mes presionit për ta shpallur kampion. Ishte në fakt hera e parë dhe e fundit që një ambient sportiv i një klubi shihte me skepticizem një trajner si Ilir Daja.

Prej atëherë kur edhe fitoi titullin e parë në karrierë me Elbasanin e deri më sot, Ilir Daja ka fituar trofe, ka arritur rezultate të ëndërruara sportive, është zhgënjyer mes të tjerash nga pritshmërite që kishte, por kurrë askush nuk e ka parë me skepticizem emerimin e tij në stol. As kur mori Dinamon me të cilën në 2008 fitoi kampionatin e dytë në karrierë, as kur e fitoi këtë trofe edhe me  Skënderbeun në 2018, apo së fundmi dy herë radhazi me Ballkanin në Kosovë.

Nuk e panë kurrsesi me skepticizëm as kur i besuan dy herë stolin në Kavajë, apo kur Sinani Idrizi në Vlorë e kërkoi me ngulm, apo edhe kur e thërriten dy klubet emblemë të futbollit shqiptar Tirana e Partizani. Ilir Daja do të mbahet mend si trajneri i parë shqiptar që ia doli të drejtoje dy ekipe shqiptare në Shqiperi dhe Kosovë drejt fazës së grupeve të kompeticioneve europiane.

Fillimisht me Skënderbeun e Korçës në Europa League dhe pastaj me Ballkanin e Suharekës, deri më tani dy herë radhazi në dy vitet e fundit. Shumëkush mund të ketë fituar më tepër tituj si trajner në karrierë, por askush nuk ka mundur të shohë veten në tre edicione të kupave të Europës me dy ekipe te ndryshme shqiptare. Rekord vështirësisht i thyeshëm. Ata që e njohin nga afër si futbollist dikur e pastaj si trajner në 3 dekadat e fundit, e dinë shumë mirë se forca e Ilir Dajës është pikërisht modestia dhe qetësia e tij jashtë tipologjisë shqiptare dhe natyrës prej ballkanasi.

Ballkani i Suharekës është një superfuqi e futbollit kosovar dhe arkitekti i zonës teknike që mban meritën në këto suksese është Ilir Daja, tekniku i arritjeve të mëdha, i cili përmes këtyre suksesee po thyen edhe barrierat mentale në sportin shqiptarë, se shkolla jonë e trajnereve nuk mund të jetë konkuruese jashtë kufijve. Ilir Daja është shembulli i kundërt, për të asgjë nuk është e pamundur.