TIRANË- Trupi i pajetë i 30-vjeçarit, Miklovan Danaj është gjetur i pajetë në bregun e Marbellas në Spanjë. Ndërkohë detaje të reja janë zbardhur lidhur me ngjarjen. Sipas gazetares Klodiana Lala, personi i fundit që u takua me Danajn ishte Juxhin Drazhi i grupit të Elvis Doçit. 30-vjeçari nga Shkodra ishte raportuar i zhdukur që në muajin maj.
Sipas raportimeve, Danaj ishte i përfshirë në trafikun e kokainës dhe klanet ndërkombëtare, ndërsa zhdukja e tij u denoncua nga bashkëshortja e tij në Spanjë dhe familjarët e tjerë të tij në Shqipëri. Të afërmit e tij morën një telegram që konfirmonte vrasjen e tij dhe i paralajmëronte të mos e kërkonin.
Pas gjetjes së trupit të pajetë, mediat spanjolle u shprehën se Guardia Civil ka nisur një hetim, ndërsa deri tani nuk ka anjë person të arrestuar për ngjarjen dhe autoritetet nuk kanë zbuluar informacion mbi rrethanat aktuale të vdekjes së 30-vjeçarit.
Miklovani pas largimit nga Pisa, Itali, ishte zhvendosur në Marbella, Spanjë, ku merrej me trafikun e kokainës nga Kolumbia drejt Evropës. Me kalimin e viteve, ai dyshohet se kishte krijuar grupin e tij dhe ka bërë emër mes bandave, por konflikte të brendshme dhe tradhti nga bashkëpunëtorët mund t’i kenë kushtuar jetën. Miklovani jetonte në Spanjë me bashkëshorten dhe vajzën e tij 8 muajshe, ndërsa më parë ishte rritur në Pisa, Itali.
