I vuri gjobë për parkimin, qytetari qëllon policin bashkiak

Një 43-vjeçar është arrestuar në flagrancë në Vlorë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj një punonjësi të Policisë Bashkiake për shkak të detyrës.

Sipas njoftimit të Policia e Shtetit, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë arrestuan shtetasin me inicialet M. L., 43 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Goditja për shkak të detyrës”.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:55, në rrugën “Mitaq Salati”, në lagjen “15 Tetori”. Sipas policisë, pas vendosjes së një mase administrative ndaj automjetit të tij për parkim të gabuar, 43-vjeçari dyshohet se ka goditur fizikisht punonjësin e Policisë Bashkiake, shtetasin S. N., 28 vjeç, banues në Vlorë.

Pas ndërhyrjes së policisë, autori i dyshuar u arrestua në vendngjarje, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokuroria e Vlorës për vijimin e veprimeve ligjore lidhur me veprën penale “Goditja për shkak të detyrës”.