Himarë, 29 qershor 2025 – Policia e Shtetit ka arrestuar një 41-vjeçar të dënuar për disa vepra të rënda penale, i cili fshihej në zonën turistike të Qeparosë, në Himarë.
Ervis Çela, banues në Peqin, ishte shpallur në kërkim pas njohjes së vendimit të Gjykatës së Italisë nga Gjykata e Elbasanit, që e dënonte atë me 21 vite burg. Nga ky dënim, i kanë mbetur për të vuajtur edhe 1 vit, 11 muaj dhe 16 ditë.
Operacioni për arrestimin e tij u krye nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në bashkëpunim me strukturat e Hetimit të Krimeve të Rënda në DVP Elbasan, pas urdhrit të lëshuar nga Prokuroria e Elbasanit.
Ervis Çela është dënuar për një sërë veprash penale, përfshirë: “Vrasja me paramendim” në bashkëpunim, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Fshehja ose asgjësimi i kufomës” (tentativë), “Kanosja për të mos kallëzuar”, “Mbajtja pa leje e armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Dosja penale i është referuar Prokurorisë për procedurat e mëtejshme ligjore.
