Ali Hana, 2 vjet pa kemp edhe pse nuk mund të ecë

Ali Hana është një nga të moshuarit e qytetit të Prrenjasit, që përveçse vuan nga problemet shëndetësore, jeton në kushte të vështira dhe pa mbështetje nga shteti.

Është i paralizuar prej 8 vitesh dhe sikur të mos mjaftonte, për ironi të fatit i kanë ndërprerë edhe kempin prej 160 mijë lekësh të vjetra.

Xha Aliu i dëshpëruar thotë se vdekjen do ta kishte më të lehtë se të jetojë kështu. Në një familje prej 4 anëtarësh, ia dalin të jetojnë me 180 mijë lekë të vjetra në muaj.

“Prej një viti më kanë ndërprerë kempin. Unë jam invalid, kam edhe dy unaza në zemër. 160 mijë lekë të vjetra që merrja, nuk i marr më”- shprehet ai.

Xha Aliu bën apel për ndihmë dhe kërkon t’i rikthehen paratë e mbajtura padrejtësisht, pasi siç shprehet ai, të ardhurat nuk i mjaftojnë as për blerë bebelina.

“Mua vetëm ilaçet më bëjnë 200 mijë lekë të vjetra në muaj, sepse kam probleme me zemrën. Kam edhe qeranë për të paguar, le më bebelinat. E kam të pamundur të shkoj sa herë kam nevojë në tualet, se më duhen dy shoqërues me vete”- thotë ai.

Ali Hana e ka kërkuar të drejtën e tij duke trokitur në shumë dyer, por deri më tani nuk ka gjetur zgjidhje. Ai apelon për ndihmë dhe kërkon drejtësi.