Një 32-vjeçar i shpallur në kërkim për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve u arrestua nga Policia Rrugore në Bradashesh, teksa drejtonte një automjet në gjendje të dehur dhe pa leje drejtimi.
Gjatë ndalimit, ai u përpoq t’i shmangej përgjegjësisë ligjore duke iu paraqitur punonjësve të policisë një foto të lejes së drejtimit të një shtetasi tjetër, nga celulari i tij. Pas verifikimeve të kryera, rezultoi se bëhej fjalë për shtetasin D. Gj., 32 vjeç, banues në Tiranë, i cili ishte në kërkim nga strukturat e DVP Tiranë.
Gjykata e Tiranës e ka dënuar këtë shtetas me 3 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Veprimet e mëtejshme procedurale ndaj tij do të ndiqen nga DVP Tiranë, ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme ligjore.
