I biri kërkon t’i japë lamtumirën e fundit të ëmës, Eduart Danaj s’pranon

Ndonëse në arrest për vrasjen e gruas së tij, 50-vjeçari, Eduart Danaj vazhdon presionin psikologjik ndaj fëmijëve. Siç raportojnë mediat greke, ai nuk pranon që djali i tij i mitur të marrë pjesë në varrimin e nënës së tij që do të bëhet në Shqipëri.

Djalit i duhet një prokurë e lëshuar nga i ati për të udhëtuar jashtë vendit fqinj dhe t’i thotë “lamtumirën e fundit” nënës, por mesa duket kjo do të jetë shumë e vështirë. (lexo këtu)

Përveç kësaj, kujtojmë se në dëshminë e dhënë dje para hetuesve, 50-vjeçari që masakroi me thikë gruan e tij, Enkelejda Danajn, kërcënoi se do të vriste dhe të bijën, duke i thënë se është si e ëma.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 16 maj, ndërsa Danaj pritet që të dalë sot përpara Gjykatës ku do të njihet me masën e sigurisë. Sipas Policisë, gruaja ka marrë disa goditje me thikë, të cilat i shkaktuan dhe vdekjen e menjëhershme në vendin e ngjarjes.

Pas krimit, Danaj është arratisur, duke u kapur pas disa orësh. Gruaja e kishte denoncuar tre herë për dhunë në familje Eduart Danaj.