Hyqmet Zane në “kam një mesazh për ty”, surprizë për mjekun e njohur Orjon Glozheni/Historia

Një histori shumë e veçantë u rrëfye në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga Hyqmeti. Veç vështirësive që ka patur jeta e prindërve të tij, lindja e Hyqmetit përbënte rrezik si për të, ashtu edhe për nënën. Mes emocionesh, Hyqmeti tregoi se si ishte mjeku Koço Gliozheni ai që shpëtoi nënë e bir.

Për këtë arsye, ai ka ftuar në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, djalin e tij, Orion Gliozhenin në shenjë mirënjohjeje ndaj veprës që ka lënë pas babai i tij. Sapo hapet ekrani, dr. Orioni ndan edhe një detaj tjetër nga takimi i tij me Hyqmetin.

Dr. Orion Gliozheni: Prapë në njëfarë mënyre lidhet me profesionin tonë, por këtë radhë është im atë që ka qenë një nga themeluesit e shkollës së Obstetrikës dhe Gjinekologjisë në Shqipëri dhe që me Hyqmetin ka një histori shumë të bukur, as unë nuk e kam ditur, e kam marrë vesh kur jam njohur me Hyqmetin vite përpara dhe kam edhe në zyrën time një tablo të madhe ku Hyqmeti ka shkruar shumë bukur dhe të përmbledhur se çfarë vuajti nëna e tij për të lindur Hyqmetin.

Më pas, Hyqmeti i shprehu mjekut mirënjohjen e tij të thellë dhe të përzemërt.

Hyqmet: Doktor Orioni, të përshëndes! Kam shumë kënaqësi që të kam përballë dhe në një studio të tillë. Mirënjohje! Unë dua të shpreh mirënjohje për atë burrin e madh për atë doktorin e famshëm, për atë gjinekologun me emër që më dha mua jetë, më shpëtoi nënën që unë mos të rritesha jetim ndaj dhe e kisha si një detyrim moral, si për t’i thënë asaj nënës time që unë ia përcolla mirënjohjen, jo doktorit, por të birit. Të falenderoj që të kam përballë dhe të shpreh këtë mirënjohje!

Dr. Orion Gliozheni: Faleminderit ty! Ishte vërtet një surprizë, mendova se do të ishte ndonjë grua që ka lindir, që ka pasur probleme por gjithseis nuk jemi larg edhe këtij skenari por kjo juaja është vërtet një histori shumë e bukur që i përket ca viteve kur edhe kushtet e mjekësisë nuk ishin të njëjta me ato që kemi sot. Sot mund të bëhet ndoshta më tepër sesa ç’mund të bëhej atëherë kur mjekët kishin vetëm stetoskopin në dorë dhe vinin diagnozën në bazë të shenjave klinike, pa pasur një ekografi, skaner siç janë sot etj.

Hyqmet: Prandaj është i madh doktor Koço Gliozheni dhe ju të jeni krenar për atë baba që i dha emër vetes, familjes por la atë mesazh të madh që doktorët dhe sidomos gjinekologët, janë ata që dinë të bëjnë më të mirën për jetën!/tvklan.al
Mjeku i njohur Orion Gliozheni ndau disa kujtime me babain e tij. I pyetur nga moderatori i së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, Ardit Gjebrea se si kanë qenë raportet me të, mjeku rrëfen se pavarësisht ngarkesës së të atit, të dy kishin një lidhje shumë të afërt. Jo vetëm kaq, por babai i tij i ka dhënë jetë dy herë pasi ka qenë dr. Koço ai që mundësoi lindjen e të birit.

Dr. Orion Gliozheni: Në kohën që ai ka punuar, ka pasur pak mjekë të vjetër dhe me eksperiencë kështu që ia mori edhe shtëpinë shumë afër me maternitetin pasi pothuajse çdo natë, çdo ditë e thërrisnin në spital. Për pasojë, koha që mbetej për të ndenjur me neve ishte pak, merrej kryesisht mamaja por atë kohë që ai gjente, ishte shumë i afërt, shumë. Unë kisha raporte veçanërisht shumë të ngrohta me të të cilat i kujtoj edhe sot me një përmallim e një kënaqësi të madhe.

Ardit Gjebrea: Juve ju ka sjellë ai në jetë?

Dr. Orion Gliozheni: Po.

Ardit Gjebrea: Pra ti ke lindur nga duart e babit tënd?

Dr. Orion Gliozheni: Kam lindur nga duart e babait pasi edhe kjo ka qenë një histori e bukur. Unë isha me peshë të madhe, lindja pati vështirësi, ishte një mjek rus në atë kohë dhe hyri ai për t’i asistuar mamasë time dhe babai normalisht priste jashtë në korridor. Ai u mundua e u mundua, doli jashtë e i tha nuk arrij dot. U fut babai vetë dhe nëpërmjet një instrumenti që quhet forceps më nxori kështu që unë e kam dy herë jetën nga babai, e para sepse jam djali i tij, e dyta sepse më nxori në jetë nga mamaja. Është vërtet një histori e bukur./tvklan.al