Elbasan, 15 dhjetor 2025
Një bombol gazi ka shpërthyer këtë të hënë në lagjen “5 Maji” në Elbasan, duke shkatërruar tërësisht një banesë private, e cila si pasojë e shpërthimit është kthyer e pabanueshme.
Fatmirësisht, nga ngjarja nuk raportohet për persona të lënduar. Sipas informacioneve, zonja e shtëpisë kishte dalë jashtë banesës për të kërkuar ndihmë pasi bombola ishte përfshirë nga flakët dhe ndodhej jashtë në momentin e shpërthimit.
Për mrekulli kanë shpëtuar edhe efektivët e zjarrfikëses, të cilët ishin thirrur për të ndërhyrë dhe sapo kishin mbërritur në vendngjarje kur ndodhi shpërthimi i fuqishëm.
Pas ngjarjes, shërbimi zjarrfikës ka përsëritur apelin për rrezikun që paraqesin bombolat e gazit 5-litërshe, të cilat konsiderohen të papërshtatshme për përdorim në ambiente të brendshme. Zjarrfikësit kërkojnë që këto bombola të hiqen nga qarkullimi, për të shmangur ngjarje të ngjashme dhe rrezik për jetën e qytetarëve.













