Homazhet për Fatos Nanon, të gjitha detajet e protokollit për ceremoninë funebre në nder të ish-kryeministrit

Qeveria shqiptare ka shpallur 2 nëntorin ditë zie, në nderim të Fatos Nanos, ish-Kryeministër dhe një prej figurave më të rëndësishme të politikës shqiptare.

Në respekt të kontributit të çmuar në jetën publike dhe politike të vendit, në nderim të Fatos Nanos do të zhvillohet ceremonia funebre shtetërore dhe Homazhet Kombëtare për të ndjerin në Pallatin e Kongreseve.

Më poshtë, detajet e protokollit shtetëror për ceremoninë e së dielës:

07:45 – Marrja e trupit të të ndjerit nën kujdesin e Shtetit

Eskorta ceremoniale e përbërë nga pararoja, automjeti funeral, motoçiklistët dhe automjete të tjera utilitare për transportin e familjarëve, vendoset pranë banesës ku prehet trupi i të ndjerit.

Një njësi prej 8 oficerësh në uniformë parade të Gardës së Republikës, shoqëruar nga agjentët e paracaktuar të Protokollit, marrin në dorëzim arkivolin brenda në mjedisin ku ndodhet. Arkivolit i vendoset sipër flamuri kombëtar. Oficerët ceremonialë mbajnë arkivolin (3×3), të paraprirë nga oficeri që jep komandën.

Një oficer ceremonial i dedikuar mban jastëqet me Kordonin e Madh me Yll të Mirënjohjes Publike dhe me dekoratat e tjera. Njësia vendos arkivolin në automjetin funeral, së bashku me jastëqet me dekoratat. Pasi verifikohet që çdo gjë është gatitur denjësisht, njësia vendoset në rresht dhe nderon, ndërkohë që eskorta niset e udhëhequr nga pararoja e Gardës, Protokollit dhe motoçiklistët, ndjekur nga mjetet e transportit të familjarëve (vënë në dispozicion nga Shteti).

08:00 – Nisja e eskortës funebre drejt Pallatit të Kongreseve

08:20 – Mbërritja e eskortës në Pallatin e Kongreseve

Eskorta ndalet në bulevard, përpara trotuarit, duke lënë automjetin funeral në qendër, përballë me portat e Pallatit.

Në sheshin përpara Pallatit, në anën e djathtë, është rreshtuar Truproja e Nderit e Forcave të Armatosura në formatin uniform ose interarm. Në të majtë, përballë me Truprojën e Nderit, akomodohet regjia, kameramanët dhe fotografët që do të pasqyrojnë sekuencën në media.

Në fasadën e Pallatit të Kongreseve vendosen dy banera me shkrimin:

“Fatos Nano 1952–2025 – Homazh Kombëtar”.

Nga sheshi e deri në hyrjen e Pallatit vendoset një tapet i kuq. Në shkallët e pallatit janë vendosur ushtarët ceremonialë të Gardës së Republikës (12 – 6×6), të cilët nderojnë në unison.

Një njësi prej 7 oficerësh të Truprojës së Nderit të Forcave të Armatosura nxjerr arkivolin nga automjeti funeral (3×3), paraprirë nga oficeri komandues dhe ai që mban jastëkun me Kordonin e Madh. Ngjiten shkallët dhe arkivoli vendoset në podin prej kadifeje të zezë, në Hollin e Pallatit të Kongreseve.

Familjarët ndjekin kortezhin. Gjatë kalimit të kortezhit, Truproja e rreshtuar qëndron për nder armë. Nuk luhet asnjë muzikë.

Kur mbërrihet brenda Hollit, familjarët presin sa të sistemohet arkivoli dhe më pas, të ndihmuar nga Protokolli, zënë vendet e tyre përballë të ndjerit, në anën e majtë të sallës.

Në anësoret e sallës vendosen dy ekrane LED ku shfaqen fotografi dhe imazhe video të të ndjerit. E gjithë salla është e mbuluar me tapet të zi dhe me perde të zeza.

Jastëqet me dekorata vendosen në një vend të dedikuar, pranë fotografisë me përmasa të mëdha të të ndjerit. Një Libër ngushëllimesh vendoset në të majtë të hyrjes së Hollit.

08:30 – Homazhet publike

Itinerari i homazheve fillon nga hyrja qëndrore e Pallatit të Kongreseve. Rreshtimi hyrës për homazh përvijohet në korsinë e djathtë të shëtitores qëndrore, ndërsa ai dalës në korsinë e majtë.

Gjithsecili, përpara arkivolit, bën një përkulje të kokës. Më pas ngushëllon familjarët dhe largohet.

Buqetat me lule dhe kurorat mund të vendosen përkohësisht pranë arkivolit. Punonjësit e DSHQ dhe Protokollit kujdesen që mjedisi të mos mbingarkohet, ndaj herë pas here zhvendosin një pjesë të tyre pranë hyrjes, majtas.

Në çdo rast, pranë podit mbahen gjithmonë kurorat dhe buqetat e familjarëve dhe të Kryeministrit. Dy oficerë ceremonialë qëndrojnë gjithmonë në gatishmëri për të shoqëruar autoritetet e larta të shtetit gjatë homazheve dhe vendosjes së kurorave të tyre.

Protokolli i Shtetit përcakton rast pas rasti se kujt i njihet kjo e drejtë përveç krerëve të Shtetit, Qeverisë dhe Trupit Diplomatik të akredituar në Republikën e Shqipërisë.

Gjatë homazheve publike, në sfond vijon transmetimi i muzikës funebre.

11:00 – Përfundimi i homazheve publike

11:15 – Homazhet e personaliteteve shtetërore dhe të Trupit Diplomatik

12:00 – Ceremonia funebre e Lamtumirës

Ceremonia e Lamtumirës nuk dikton ndryshim të formatit, përveç shtimit të një foltoreje mbi një platformë të niveluar në qendër të sallës, perpendikular me arkivolin. Në mjedisin djathtas rreshtohet në këmbë Orkestra Frymore e Forcave të Armatosura (OFFA).

12:00 – Mbërritja e Kryeministrit dhe Zonjës Rama.

Kryeministri dhe Zonja bëjnë homazhet sipas formës së përcaktuar më sipër.

12:05 – Zëri i fshehur lajmëron:

“Homazh Kombëtar në nder të ish-Kryeministrit Fatos Nano. Përpara fillimit të Ceremonisë së Lamtumirës, ngrihemi në këmbë për të nderuar kujtesën e tij me një minutë heshtje.”

12:07 – Zëri i fshehur lajmëron folësin e parë.

12:12 – Zëri i fshehur lajmëron folësin e dytë.

12:20 – Zëri i fshehur lajmëron fjalën e Kryeministrit.

Ndërkohë që Kryeministri mban fjalën, Protokolli dhe logjistika përgatisin daljen ceremoniale. Mblidhen kurorat që u jepen ushtarëve ceremonialë (kurorat e familjes dhe të autoriteteve të larta kryesisht). Kurorat dhe buqetat e tjera çohen drejt automjetit funeral që pret në dalje të Pallatit.

Formohet kortezhi ushtarak përpara shkallëve, me në mes shtratin e topit mbi të cilin do të vendoset arkivoli.

12:40 – Zëri i fshehur lajmëron Himnin Kombëtar:

“Përpara se t’i japim lamtumirën ish-Kryeministrit Fatos Nano, i dekoruar me Kordonin e madh me Yll të Mirënjohjes Publike, nderojmë Himnin Kombëtar.”

12:45 – Lëvizja e kortezhit

Pas shenjës që jep Protokolli, arkivoli që ndodhet në holl merret nga njësia e Truprojës së Nderit, ndjekur nga oficerët që mbajnë dekoratat. Gjatë formimit të kortezhit, të gjithë qëndrojnë në këmbë.

Lëvizjen e kortezhit e shënon fillimi i pjesës muzikore “I did it my way”.

Pas mbajtësve të arkivolit, kortezhi formohet nga familja e afërt dhe autoritetet shtetërore. Ndjekin rreshtat e parë, më pas të dytët, e kështu me radhë.

Në momentin që arkivoli del në shkallët e Pallatit, kortezhi ushtarak merr pozicionin për nder armë. Njësia vendos arkivolin në shtratin e topit dhe kortezhi fillon të lëvizë, paraprirë nga OFFA që luan marshe funebre.

Vijon më pas Truproja e Nderit, mbajtësi i fotografisë, mbajtësit e dekoratave, shtrati i topit me arkivolin, familjarët dhe autoritetet.

Kortezhi funebër vijon të procedojë nën marshet e OFFA-s në bulevard, deri kur mbërritet në afërsi të Kryeministrisë, ku pret eskorta (e njëjta me atë që solli arkivolin në Pallat).

Me të mbërritur, rreshtin marshet funebër. Vijohet me vendosjen e arkivolit në automjetin funebër civil. Familjarët përshëndeten nga autoritetet dhe hipin në automjetet e eskortës.

Pasi çdo gjë të jetë gati, eskorta e paraprirë nga pararojat dhe e shoqëruar nga motoçiklistët vijon për në varrezat ku do të prehet i ndjeri.

13:15 – Kortezhi shtetëror shpërbëhet dhe përfundon ceremonia funebre shtetërore.

13:30 – Mbërritja në varreza

Përcjellja për në banesën e fundit është ceremoni e natyrës private dhe familjare. Megjithatë, i ndjeri dhe familja kanë privilegjin që, përpara se arkivoli të shtihet në dhé, flamuri kombëtar që e ka mbuluar deri në atë çast t’i paloset në mënyrë ceremoniale nga oficerët ceremonialë për t’iu dorëzuar familjes.

Në kohën kur paloset flamuri, efektivë të Gardës së Republikës vijojnë me të shtënat për nder të të ndjerit.

14:30 – Drekë e përmortshme në Pallatin e Brigadave

16:00 – Përfundimi i drekës së përmortshme.