Homazh për gjyqtarin Astrit Kalaja/ Një tufë me lule në vendin ku ai u ul për herë të fundit!

Pas ngjarjes tragjike që tronditi opinionin publik dhe sistemin gjyqësor, kolegët e gjyqtarit Astrit Kalaja kanë bërë një gjest simbolik e prekës në sallën ku ai zhvilloi seancën e tij të fundit.

Në sallën nr. 3 të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, aty ku u zhvillua seanca e 6 tetorit që përfundoi në mënyrë fatale, në tavolinën ku zakonisht ulej gjyqtari Kalaja, kolegët kanë vendosur një tufë me lule të bardha, si shenjë nderimi, kujtimi dhe dhimbjeje.

Ky gjest i thjeshtë por i fuqishëm, vjen si një homazh i kolegëve për një njeri që humbi jetën në krye të detyrës.

Astrit Kalaja u qëllua me armë zjarri brenda sallës në Gjykatën e Aplit nga 30-vjeçari Elvis Shkambi.

Për këtë ngjarja, policia ka arrestuar tre persona, të riun, xhaxhain e tij, Gjon Shkambi dhe rojen e sigurisë së Gjykatës, pasi nuk ka ndërmarrë veprime për të kontrolluar personat kur janë futur brenda.