Hodhi mbeturina nga makina, personazhi i ‘TikTok’-ut, Kozak Braçi shoqërohet në komisariat dhe merr gjobën e majme (VIDEO)

Një video e publikuar në rrjetet sociale që tregonte një person duke hedhur mbeturina nga dritarja e një automjeti në lëvizje ka çuar në identifikimin dhe ndëshkimin e autorit të shkeljes. Bëhet fjalë për shtetasin Kozak Braçi, 32 vjeç, i njohur për daljet e tij në rrjetet sociale.

Policia e Komisariatit Nr. 4 në Tiranë reagoi menjëherë pas publikimit të videos duke kryer verifikimet e nevojshme. Pavarësisht se pamjet ishin regjistruar disa kohë më parë, autoritetet arritën të identifikonin personin që kishte ndotur mjedisin dhe e shoqëruan atë për veprime të mëtejshme procedurale.

Në përfundim të veprimeve, Kozak Braçi u ndëshkua me një gjobë prej 100 000 lekësh, bazuar në nenin 351 të VKM nr. 153, datë 07.04.2000 dhe nenin 15 të Kodit Rrugor.

Ndërkohë, materialet procedurale për këtë rast i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për vlerësim të mëtejshëm ligjor.