Historia e Mikelit: Jetoja me qera, kisha nevojë për para, prandaj nisa transport emigrantësh/Rrezikon mbi 20 vjet burg

Fatos Salliu
Mikel Gjella  është 28 vjeç. Ai po përballet në gjykatën e Elbasanit me një sërë akuzash që vijnë si pasojë e transportit të 9 emigrantëve nga vendet e treta. Gjatë transportit në shkurt të vitit 2020 Mikeli duke ndjekur rrugën e vështirë të Gramshit, humbi kontrollin e mjetit dhe ra në humnerë. Si pasojë humbën jetën 2 shtetas sirianë nga 9 emigrantët që ishte duke transportuar. Vetë gjithashtu mori dëmtime të rënda po arriti të mbijetonte. Akuzat ndaj tij u rënduan si pasojë  e aksidentit fatal.

Mikeli po gjykohet në gjykatën e shkallës së parë në Elbasan për akuzën dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit dhe kur ajo sjell pasoja ka një dënim që shkon mbi 15 vjet burg dhe shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë vdekjen e dy personave. Treshja e gjyqtarëve Matilda Fetahu, Pajtime Fetahu dhe Miranda Konica janë në vazhdim të procesit gjyqësor.

Djali nga Tirana njihej si një person i rregullt, që shkonte çdo ditë në punë. Muajt e fundit para se të ndodhte ngjarja kishte filluar një bashkëjetesë dhe ishte shkëputur nga familja. “Jetoj me qera. Kisha nevojë për para dhe prandaj vendosa ta provoj. Kisha dëgjuar të tjerë që e kishin bërë. Doja të bëja një rrugë për të mbuluar shpenzimet e shumta. Nuk i mendova shumë pasojat se do rrezikoja jetën time dhe tani burgimin. Jam në gjendje shumë të keqe. Kam menduar edhe të vetvritem” mësohet të ketë thënë Gjella para gjyqtareve dhe prokurorit. Ndërkohë që janë pyetur dëshmitarët për situatën e  të riut, pritet që seance e radhës të japë konkluzionet dhe të ketë një vendim për të nga gjyqësori i Elbasanit.

Dyshimet për persona që e kanë tërhequr në këtë aktivitet hidhen nga babai i tij, edhe pse Mikeli gjatë gjykimit nuk ka folur për ndonjë rrjet të organizuar trafiku emigrantësh.

Babai tregon se dikush e ka përfshirë dhe djali i pashkolluar, sipas tij,  nuk e ka ditur se çfarë rrezikonte por ka menduar të fitojë pak para më shumë pasi jetonte me qera. “Djali im kishte një punë të rregullt dhe nuk kishte pasur ndonjëherë probleme të tilla. Kishte rreth një muaj e gjysmë para ngjarjes që po bashkëjetonte me një vajzë dhe kishte marrë shtëpi me qera. Nuk kisha kontakte rreth 1 muaj e gjysmë, vetëm kur e mësuam në televizor që e jepnin të vdekur. Erdha të tërheq kufomën por shyqyr Zotit nuk kishte vdekur.

Se di kush e futi tek kjo gjë. Po të më kishte thënë gjë nuk do e kisha kejuar. Ai është viktimë. E Kanë përdorur të tjerët. Pa shkollë është. S’di më shkrujt emrin e vet” shprehet babai.

Ai tregon se tre ditët e fundit para se të ndodhte ngjarja, i biri kishte fikur  telefonin dhe nuk kishin kontakte. “Kam tentuar ta marr në telefon por e ka pasur të fikur. Kishte marrë fuoristradë me qera dhe kishte bërë këtë punë. Tani po përballet me shumë akuza. Thotë do vras veten. Ne nuk dimë çfarë të bëjmë  e si ta ndihmojmë. Punonte, ishte i rregullt, kush e futi këtë gjë nuk e di”.

Avokati Demir çiftja thotë se në këtë rast akuzat ndaj të pandehurit shtohen dhe sidomos kur në rastin e aksidentit kanë vdekur 2 ose më shumë persona duke u përballur edhe me nenin 290/4 që rrezikon dënimin e tij nga 5 deri në 20 vjet.

Të rinjtë pre e tundimit për para të shpejtë

Nga të dhënat e policisë personat e arrestuar kryesisht janë meshkuj dhe të rinj në moshë. Gjithashtu predominojnë moshat e reja nga procedimet e prokurorisë Elbasan dhe Korçë. Gjithashtu një tjetër faktor është gjendja ekonomike. Janë me probleme sociale të theksuara, të papunë ose me një rrogë të pamjaftueshme. Avokati Demir Çiftja thotë se dikush që i hynë asaj rruge e di se çfarë do të thotë nëse arrestohet. “Nuk llogarisin asgjë por mendojnë vetëm të fitojnë” thotë avokati ndërsa rëndit akuzat që mund të përballet një person nëse ndërmerr transportin, rrezikon jetën e tij dhe të personave të tjerë dhe më pas do të duhet të kalojë pjesën më të mirë të jetës në burg.

Kryesisht personat që kryejnë transport të rastësishëm dhe nuk janë të lidhur me ndonjë grup të organizuar zgjedhin rrugë të vështira, udhëtojnë natën dhe rrezikojnë. Fitimi mund të arrijë edhe 2 mijë euro një rrugë por pasojat janë shumë më të mëdha se fitimi i shpejtë.

Ky artikull u prodhua në kuadër të nismës “Siguria për Qeniet Njerëzore dhe Kufijtë – Luftimi i Kontrabandës së Migrantëve në Ballkanin Perëndimor”, mbështetur financiarisht nga Bashkimi Europian. Përmbajtja e tij është përgjegjesi vetëm e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Europian.