TIRANË- Irena Gjoka është zgjedhur gjyqtarja që do të gjykojë dosjen kundër Ilir Metës, Monika Kryemadhit, Ema Cokut, Pirro Xhixhos dhe Fatime Kryemadhit. Në shortin elektronik që është hedhur ditën e sotme në ambientet e GJKKO-së, është zgjedhur Gjoka, gjyqtarja që do të marrë përsipër këtë dosje.
Në një seancë me dyer të mbyllura, pasi të shqyrtojë fashikujt e dosjes së SPAK, do të vendos nëse kjo çështje do të kalojë për gjykim. Prokuroria e Posaçme ka dorëzuar në gjykatë dosjen ndaj Metë dhe Kryemadhit duke i kërkuar gjykatës që ata të gjykohen për akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë.
Ilir Meta u arrestua më 21 tetor 2024. Ai dhe deputetja Kryemadhi dyshohen se, duke bashkëpunuar mes tyre dhe me funskionarë të tjerë shtetërorë, në disa episode duke nisur nga 15 vite më parë kanë shfrytëzuar postet e tyre shtetërore dhe politike për të favorizuar kompani private, si dhe në veprimtari të tjera me lobime në SHBA dhe shitblerje banesash në këmbim të përfitimit të shumave të konsiderueshme parash, të cilat janë përpjekur t’i fshehin, duke mos i deklaruar në ILDKPI dhe KQZ.













