Detaje të reja janë bërë me dije nga ngjarja e rëndë pasditen e sotme në Korçë, ku tre vajza të mitura janë dërguar me urgjencë në spital, pasi kanë ngrënë disa karamele, që dyshohet se i gjetën pranë një koshi mbeturinash.
Tre motrat kanë konsumuar pranë koshit të mbeturinave karamele të cilat dyshohet se kanë pasur përmbajtje të esencës së lëndëve narkotike (hashash).
Nga ana e policisë, është konfirmuar se karamelet janë gjetur në koshin e mbeturinave dhe nuk ua ka dhënë asnjë person tjetër.
Burime nga bluzat e bardha bëjnë me dije se në gjendje të rëndë shëndetësore është vetëm 3-vjeçarja, e cila u intubua në reanimacionin e spitalit të Korçës.
Dy vajzat e tjera fatmirësisht e kanë kaluar rrezikun për jetën dhe ndodhen në gjendje të qëndrueshme, nën kujdesin e mjekëve në pediatri.
Hetimet vijojnë lidhur me ngjarjen e rëndë, ndërsa po pyeten të gjithë familjarët dhe të afërmit e të miturave.
