Helmimi i të miturve në kopsht në Gramsh/ AKU merr sot mostrat për analizat e 3 produkteve, prindi: Nuk kemi besim se çfarë ushqimi hanë fëmijët!

GRAMSH- Inspektorët e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit kanë marrë sot mostrat për të analizuar tre produkte ushqimore, që dyshohet se mund të kenë shkaktuar helmimin e 70 fëmijëve në kopshtin publik në Gramshit.

Dyshimet paraprake janë se helmimi ka ardhur nga ushqimi i ofruar nga kompania e shërbimit katering. Një grup i madh i fëmijëve gjatë këtyre ditëve është paraqitur me shqetësime dhe të vjella në spitalin e qytetit të Gramshit dhe kjo ka alarmuar prindërit. Fillimisht prindërit kishin dyshuar për gjendje gripale të fëmijëve, por analizat e kryera treguan se ata ishin helmuar nga ushqimi.

Prindërit thonë se simptomat e fëmijëve kanë nisur që të premten e shkuar, por vetëm sot, AKU kanë marrë mostra të mishit të pulës, qumështit dhe të vezëve. Një prej prindërve është shprehur se ka 2 vajza në kopsht dhe nga ana e strukturave drejtuese janë lajmëruar që të marrin fëmijët pasi është evidentuar një rast me Salmonelë.

“Ne u kemi bërë analizat fëmijëve, por akoma s’kemi marrë përgjigjen e tyre. Nuk kemi besim se çfarë ushqimi hanë fëmijët në kopësht. Na është thënë se ushqimet vijnë nga Tirana, kjo është absurde”, thotë babai i dy vajzave. Sipas tij, ditën e hënë, prindërit kanë njoftuar protestë ndaj autoriteteve përgjegjëse për ngjarjen.