Grushta, shkelma, karike kokës/ Përleshje masive mes tifozëve serbë dhe anglezë në Gjermani. Video

Kjo e dielë sportive në ‘Euro 2024’ mbyllet me sfidën mes Serbisë dhe Anglisë, e cila nis në orën 21:00 dhe vlen për Grupin C. Mirëpo raportohet, se në Gelsenkirchen, para ndeshjes ka pasur përleshje të dhunshme mes serbëve dhe anglezëve, teksa janë dhjetëra të arrestuar dhe dy të plagosur mes policisë dhe ultrasve.

Media angleze “Standard” shton se sherri mund të ketë nisur fillimisht mes një grupi shqiptarësh dhe serbësh dhe më pas janë përfshirë edhe anglezët.

Në pamjet që qarkullojnë në rrjetet sociale duket policia që arreston tifozë të përfshirë në përleshje, teksa pamjet janë të rënda, duke mos munguar as gjakosja apo goditjet me sende të forta.

Autoritetet gjermane kanë vendosur 1.300 oficerë më shumë se zakonisht dhe kanë ndaluar shitjen e pafundme të alkoolit gjatë të dielës (rasti i vetëm i kufizimeve në të gjithë turneun, të paktën tani për tani).

Qyteti është me prezencë të shtuar të policisë. Në mënyrë të veçantë, po monitorohen lëvizjet e 500 ultrasve serbë, nga grupet e Crvena Zvezdës dhe Partizanit, të cilët me sa duket kanë shprehur qëllimin e tyre për të “shkuar dhe kërkuar anglezët” nëpërmjet internetit.

Afro 40 mijë tifozë pritet të jenë në zonën e fan zone në qytet, të ndara sipas shteteve, kjo duke mos përfshirë 50 mijë të tjerët në stadium.