Athinë, 13 qershor 2025 – Autoritetet greke kanë arrestuar të premten në ishullin Skiathos një shtetas amerikan, i dyshuar për një vrasje të dyfishtë tronditëse që ndodhi javën e kaluar në parkun Villa Pamphili të Romës, Itali. Viktimat janë një nënë dhe foshnja e saj, të dyja me shtetësi amerikane.
Burri, identiteti i të cilit nuk është bërë publik, u ndalua në bazë të një urdhër-arresti evropian të lëshuar nga Italia dhe pritet të arrestohet zyrtarisht pasi urdhri të përcillet në mënyrë formale. Policia greke tha për Associated Press se i dyshuari do të dalë javën e ardhshme para një gjyqtari për seancën dëgjimore të ekstradimit, ku ka të drejtë të kundërshtojë transferimin drejt Italisë.
Sipas mediave italiane, trupi i gruas, rreth 30 vjeç, u gjet i mbështjellë me një qese plastike të zezë, ndërsa foshnja u gjet disa qindra metra më larg, në shkurre, brenda parkut. Dyshohet se gruaja është vrarë disa ditë përpara foshnjës.
Marrëdhënia e viktimave me të dyshuarin nuk është ende e qartë, por hetuesit italianë bëjnë me dije se tre personat ishin parë së bashku në një strehë për njerëz në nevojë pranë Vatikanit dhe besohej se ishin një familje.
Autoritetet italiane arritën të identifikonin të dyshuarin përmes gjurmëve të gishtërinjve të gjetura në çantën që mbulonte trupin e gruas, si dhe një copë tende të ngjashme me ato që përdoren për strehimin e të pastrehëve. Gjurmimi i telefonit celular të çoi autoritetet në Greqi, ku ai u ndalua.
Policia në Romë ka refuzuar të japë koment për çështjen deri në zhvillimin e një konference për shtyp të planifikuar për më vonë gjatë ditës së sotme.
Ndërkohë, një detaj i çuditshëm që ka tërhequr vëmendjen e hetuesve është një tatuazh në trupin e gruas, që përshkruan një skelet mbi një dërrasë sërfi.
