Gratë dikur kanë lindur edhe në rrugë/ Rrëfimi i infermieres nga Elbasani

Lindita Qevani infermiere mami në 43 vite punë nuk mban mend sa është numri i foshnjave që ka pritur të lindnin. Puna e saj e parë do të ishte në Qafë-Klos, ku shpesh herë në mungesë të mjekëve i është dashur t’i zëvendësojë.

Për t’i ardhur në ndihmë banorëve në ato vite ajo mësoi të bijën që ishte ende fëmijë të bënte injeksione. Në kushte tmerrësisht të vështira dhe në mungesë të mjeteve më të nevojshme profesionale  tregon si ka qenë jo vetëm dëshmitare por edhe shpëtimtare e lindjeve të jashtëzakonshme, në disa raste në rrugë, ku edhe vetë ka sjellë në jetë një nga fëmijët e saj.

“Kam rreth 43 vite punë, fillimisht kam punuar në fshatin Klos. Prisnim lindje, bënim vaksina e çdo gjë tjetër. Kemi ecur nga një orë në këmbë, por pasioni për profesionin dhe për t’I ardhur në ndihmë njerëzve më ka ndihmuar t’ia dal. Kemi asistuar lidnje në spitale, shtëpi dhe në disa raste edhe në rrugë”-shprehet Lindita.

Sot ajo punon në urgjencën e qytetit të Elbasanit. Ndërsa flet për gjithë vështirësitë në fillimet e karrierës së saj, ajo thotë se kushtet kanë ndryshuar dhe cdo gjë është berë më e lehtë sot.

“Tani ka shumë komoditet, është shumë më mirë krahasuar me vite më parë. Kam 11 vjet që punoj në urgjencën e Elbasanit, punojmë si ekip për t’u qrdhur në ndihmë qytetarëve. Ne luftojmë me sekondat ndaj kjo ka shumë rëndësi”- thotë ajo.

Lindita ka një mesazh shumë të rëndësishëm për gjithë të rinjtë që largohen jashtë vendit, të kontribuojnë këtu, pasi kushtet dhe mundësitë po rriten dita ditës, bashkë me to edhe pagat.