Zbardhet dëshmia e Luan Maçit, autorit të grabitjes me armë të pikës së këmbimit valutor në zonën e “5 Majit”, brenda qendrës tregtare Concord.
Fillimisht, 42-vjeçari mohoi akuzat para policisë, duke deklaruar se nuk ishte ai autori i grabitjes së rreth 300 mijë lekëve të reja.
Por efektivët e Komisariatit nr. 4 gjetën rrobat që përdori gjatë grabitjes dhe briskun e rrojes brenda lavatriçes, prova të rëndësishme për dokumentimin e ngjarjes. Pas kësaj, ai pranoi se ishte autori i grabitjes dhe tregoi arsyet, duke shpjeguar edhe të gjithë planin.
“Kisha planifikuar që grabitjen ta bëja që më përpara. Por, pas grabitje me armë të bankës në zonën e ish-Parkut u frikësove dhe mendova ta shtyja planin për më vonë. Isha i detyruar sepse kam shumë borxhe dhe kam nënën sëmurë, në gjendje shumë të rëndë”, ka deklaruar Maçi.
Burime pranë policisë konfirmojnë se Maçi, sapo kreu grabitjen, u largua i qetë dhe fillimisht në këmbë ka hyrë brenda tregut të Medresesë dhe nga aty ka dalë në anën e pasme nëpër rrugica.
Në një pusetë fillimisht ka fshehur pistoletën, ka marrë një taksi dhe nga aty ka shkuar në shtëpi. Për t’u fshehur ka hequr mjekrën dhe fillimisht u ka thënë efektivëve se e kanë ngatërruar, sepse nuk ishte ai autor.
Atij iu gjetën vetëm 15 mijë lekë të reja. Me pjesën tjetër dyshohet se ka shlyer disa borxhe, por dëshmia e tij ka qenë kontradiktore.













