Gola dhe show në Tirana-Elbasani

TIRANE – Tirana-Elbasani, ndeshja e parafundit e javës së pestë në Abissnet Superiore është mbyllur në barazim 2-2.

Në “Selman Stërmasin” e boshatisur nga tifozët, të parët që kaluan në avantazh ishin verdheblutë në minutën e 22-të, ku Ndong ishte i pafat dhe dërgoi në rrjetë topin e futur në zonë nga Ardit Nikaj.

Në minutën e 30-të, erdhi goli i barazimit nga bardheblutë. Kapiteni Redon Xhixha shënon me kokë, pas krosimit të Tomislav Kis. Në minutën e 37-të, Atdhe Mazari kalon sërish në avantazh Elbasanin.

Pjesa e parë mbyllet 1-2 për verdheblutë. Pas pushimit, loja e bardhebluve bëhet më kërkuese. Në minutën e 54-të, aksion i shkëlqyer i Tiranës që barazon shifrat 2-2, sërish me Xhixhën, i cili disa minuta më pas do të godiste shtyllën, duke i mohuar fitoren Tiranës.

Rezultati mbetet i pandryshuar 2-2, teksa Elbasani renditet i pesti me 6 pikë, ndërsa Tirana e gjashta me 5 pikë.