Goditi me send të fortë shërbimet e Urgjencës së spitalit dhe ambulancën, vihet në pranga 39-vjeçari në Durrës, gjatë arrestimit kërcënoi edhe efektivët

MANZË- Një 39-vjeçar është vënë në pranga ditën e sotmë në Durrës. Arrestimi i tij mësohet se ka ardhur pasi ai goditi me send të fortë shërbimet e Urgjencës së Durrësit dhe autoambulancën që shkuan për t’i dhënë shërbim, në banesën e tij në fshatin Përlat.

Policia bën me dije se gjatë shoqërimit për në komisariat, ai kërcënoi dhe kundërshtoi efektivët. 39-vjeçari akuzohet për veprat penale “Shkatërrimi i pronës”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditjet për shkak të detyrës” dhe “Kanosja për shkak të detyrës”.

“Sapo janë njoftuar se një shtetas kishte goditur me send të fortë, shërbimet e Urgjencës së spitalit të Durrësit dhe autoambulancën me të cilën ato kishin shkuar për t’i ofruar asistencë mjekësore, në banesë, në fshatin Përlat, shërbimet e Stacionit të Policisë Manzë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje.

Si rezultat, është vënë në pranga autori i dyshuar i rastit, shtetasi L. D., 39 vjeç, i cili gjithashtu, gjatë shoqërimit në ambientet e Policisë, ka kanosur dhe kundërshtuar, për shkak të detyrës, punonjësit e Policisë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditjet për shkak të detyrës” dhe “Kanosja për shkak të detyrës”,” thuhet në njoftimin e policisë.