Cërrik, 10 janar 2026
Rreth gjysma e qytetit të Cërrikut është zgjuar mëngjesin e sotëm pa energji elektrike, si pasojë e një defekti të rëndë të ndodhur gjatë natës. Sipas informacioneve, problemi është regjistruar rreth orës 02:00 pas mesnate në fidrin 1, duke shkaktuar ndërprerje të zgjatur të furnizimit me energji.
Mungesa e energjisë elektrike ka prekur jo vetëm familjet, por edhe lokalet dhe bizneset e zonës, të cilat nuk kanë mundur të hapen për shkak të situatës. Ndërprerja ka sjellë vështirësi në aktivitetin e përditshëm dhe funksionimin normal të shërbimeve.
Grupi i punës i shërbimit elektrik ndodhet në terren dhe po punon për identifikimin e plotë të defektit dhe rikthimin sa më të shpejtë të energjisë elektrike në zonat e prekura. Autoritetet bëjnë me dije se situata po monitorohet dhe pritet normalizimi gradual i furnizimit.













