Gjyqtarja Enkeleda Kapedani dha shpjegime të gjata të hënën në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, ku po përballet me hetimin administrativ në të tre kriteret e rivlerësimit.
Aktualisht, Kapedani është e pezulluar nga detyra prej Këshillit të Lartë Gjyqësor, për shkak të një procedimi disiplinor të hapur nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, ILD pas publikimit në Tik Tok të disa videove të filmuara në zyrë dhe teksa drejtonte makinën.
Procesi i vetingut për Kapedanin po kryhet nga trupi gjykues i kryesuar nga Genta Tafa Bungo, me relatore Brunilda Bekteshin dhe anëtare Pamela Qirkon. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Gerrit Sprenger.
Në fund të relatimit të saj për profesionalizmin, Bekteshi u ndal në videot e publikuara në Tik Tok. Nga verifikimi i poseduesit të mjetit që është përdorur nga subjekti gjatë regjistrimit të videove të publikuara, nuk është konstatuar ndonjë kontakt i papërshtatshëm. Ndërkohë, KPK e ka pyetur subjektin nëse përdorimi i institucionit për regjistrimin e videove mund të cënonte etikën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të detyrës.
Kapedani paraqiti një analizë të gjatë lidhur me pyetjet e ngritura nga KPK për videot e publikuara në Tik Tok. Ajo këmbënguli se KPK nuk duhej të vlerësonte mbi këtë rast, pasi ishte jashtë afatit kushtetues për vlerësimin profesional, që sipas subjektit ishte viti 2016. “Nga viti 2017 e në vijim është kompetencë e KLGJ-së,” theksoi ajo dhe solli në vëmendje faktin se Këshilli i Lartë Gjyqësor ishte duke e trajtuar këtë çështje.
Sipas Kapedanit, nëse KPK do të shqyrtonte çështjen e videove, atëherë do të cënonte të drejtën e saj për t’u gjykuar nga institucioni kompetent; do të cënonte procesin e rregullt ligjor; si dhe prezumimin e pafajësisë. “Do cënonte edhe të drejtat e njeriut duke më gjykuar dy herë për të njëjtën gjë,” pretendoi ajo.
Ajo e cilësoi të pabazuar kërkimin e ILD-së për shkarkim dhe pretendoi se edhe KLGJ nuk kishte konstatuar shkelje të rënda. Kapedani pohoi se KLGJ e kishte kthyer për rihetim në ILD çështjen e saj dhe se tashmë kërkesa për shkarkim kishte rënë, por Inspektori mund të rikthehej me një kërkesë të ndryshme.
Kapedani e konsideroi publikimin e videove dhe mediatizimin e tyre si një sulm nga personat që nuk e përdornin dot si notere.
“Është një gjyq popullor me pasoja shumë të rënda për personin tim,” vijoi subjekti, duke kërkuar që kjo çështje të mos merrej në shqyrtim nga KPK përderisa procedura disiplinore nuk ka përfunduar.
E pyetur nga Bungo se përse nuk e kishte ngritur këtë pretendim edhe për çështjet e trajtuara në funksion të denoncimeve të cilat janë pas vitit 2016, Kapedani tha se kishte dashur që të kishte transparencë për publikun. Ajo shtoi se çështja e videove do të bëhet transparente gjatë shqyrtimit në KLGJ.
Në fund të seancës Kapedani kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se seanca e radhës do të zhvillohet më datë 19 nëntor, ora 09:30. burimi: reporter.al
