Pak orë pasi Gjykata e Tiranës njoftoi dënimin me 16 muaj shërbim prove për dhunë ndaj ish-bashkëshortes, Elia Zaharia dhe babait të saj, Gjergj Zaharia, Princ Leka është shfaqur krah partneres së tij të re, Blerta Celibashi. Princi ka publikuar në rrjetet sociale disa foto krah Blertës nga Lushnja, ku ata kanë marrë pjesë në një ceremoni në kuadër të 105-vjetorit të Kongresit të Lushnjës.
Në një nga fotot e publikuara nga vetë Leka, fotografja shihet teksa e shoqëron partnerin e saj në takimet me qytetarë e pjesëmarrës në këtë event, duke i mbajtur çadrën për shkak të reshjeve të shiut.
Pikërisht sot, 21 janar, Gjykata e Tiranës dha vendimin për Princ Lekën, Elia Zaharinë dhe babain e saj, Gjergj Zaharia lidhur me skandalin në familjen mbretërore. Gjyqtarja Migena Laska dënoi Princ Leka Zogun me 1 vit burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi zbriti në 8 muaj dhe u vendos pezullim në 16 muaj shërbim prove.
Princ Leka u dënua për ushtrim dhune ndaj ish-bashkëshortes, Elia Zaharia dhe babait të saj, Gjergj Zaharia. Togat e zeza dënuan me 10 muaj Gjergj Zaharinë, babain e Elia Zaharisë, ku me gjykim të shkurtuar dënimi zbret në 6 muaj e 20 ditë.
Drama në familjen mbretërore
Familja mbretërore ka qenë kryefjala përgjatë vitit të kaluar. Ishin pikërisht festat e fundvitit 2023, që zbuluan edhe ndarjen e Princ Lekës me Elia Zaharian. Pas një historie 15-vjeçare, duket se përrallës me princ i erdhi fundi dhe një fund me shumë zhurmë mediatike.
Elia Zaharia dhe Princ Leka, të cilët janë pajisur me urdhër mbrojtje ndaj njëri-tjetrit, konfirmuan më 15 janar se kishin nisur procedurat e divorcit, pas disa muajsh thashetheme se i kishin dhënë fund martesës.
Ndërkohë më 5 mars, çifti u përplasën fizikisht me njëri-tjetrin brenda rezidencës mbretërore, sherr ku u përfshi edhe babai i Elia Zaharisë, Gjergj Zaharia, pamje që u bënë edhe virale në media. Princ Leka hodhi në gjyq ish-bashkëshorten, me të cilën ka një vajzë, Geraldina dhe ish-vjehrrin, Gjergj Zaharia.
Por padi u ngrit edhe nga Elia Zaharia e babai i saj ndaj Princ Lekës, me të njëjtën akuzë, atë të ushtrimit të dhunës.














