TIRANA- Gjykata e Tiranës ka lënë në burg Eraldo Fizi, ish-bashkëshortin e Xhuana Nikollit e cila u vetëvra disa muaj më parë. Gjatë marrjes në pyetje Fizi ka pranuar se ka ushtruar dhunë ndaj ish-bashkëshortes, por vetëm në një rast dhe jo në mënyrë sistematike. Ai ka deklaruar para trupës gjykuese se episodi i dhunës ka ndodhur një ditë përpara se e reja të konsumonte fostoksinë.
Ai ka shprehur pendesë për atë që ka ndodhur, ndërsa ka deklaruar se konflikti mes tyre kishte nisur për shkak të një situate xhelozie. Më tej, ai ka pohur se ishte i dashurar me të ndjerën prej shtatë vitesh, ku ndonëse ishin ndarë kishte pasur tentativa për t’u ribashkuar. Konflikti mes tyre kishte nisur për shkak të një situate xhelozie, ndërsa avokati i tij mbrojës ka pranuar dënimin e vendosur ndaj tij.
Arrestimi i tij u bë pas bashkëpunimit mes Komisariatit Nr. 2 në Tiranë dhe Komisariatit të Lezhës, si dhe pas kontakteve me familjarët dhe avokatin e tij, të cilët kanë bërë të mundur dorëzimin e tij. Aktualisht Fizi ndodhet në Lezhë dhe pritet të transferohet në Tiranë.
Autopsia ka treguar se Xhuana kishte shenja dhune në trup, ndërsa natën e ngjarjes Eraldo Fizi ishte takuar me të ndjerën. Ata kishin udhëtuar drejt Shëngjinit, ndërsa dyshohet se gjatë rrugës Fizi e ka dhunuar të renë në makinë. Gjithashtu rezulton se natën e krimit, Fizi është gjobitur për tejkalim shpejtësie nga policia pranë ish-sheshit “Shqiponja”.
Para se të ndërmerrte aktin fatal, 25-vjeçarja kishte lënë edhe një letër, ku shkruante se nuk donte më që ata njerëz që i kishin bërë keq të vazhdonin ta lëndonin. Po ashtu, në fund të letrës, ajo u kërkonte ndjesë nënës dhe babait të saj./




