Gjykata e Durrësit cakton masën “arrest me burg” për të dyshuarin e vrasjes së 51-vjeçarit Valbon Beqiri

Durrës – Gjykata e Juridiksionit të Përgjithshëm në Durrës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg pa afat” për shtetasin Teilor Tivari, 24 vjeç, i dyshuar si autor i vrasjes së shtetasit Valbon (Marko) Beqiri, 51 vjeç.

Të njëjtën masë sigurie ka vendosur edhe për bashkëpunëtorin e tij, i cili dyshohet se ka ndihmuar Tivarin të largohet nga vendngjarja pas kryerjes së krimit.

Trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtari Ervin Sulaj, pranoi kërkesën e paraqitur nga Prokuroria e Durrësit, duke e cilësuar të ligjshëm arrestimin në flagrancë të të dyshuarit.

Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura. Sipas burimeve nga procesi gjyqësor, Teilor Tivari ka shprehur pendesë për aktin e kryer dhe ka pranuar para trupit gjykues se ka qenë ai që i ka marrë jetën Beqirit, pas një konflikti të çastit.

Nga hetimet paraprake të Policisë së Shtetit rezulton se ngjarja ndodhi paraditen e së enjtes, rreth orës 10:00, në banesën e viktimës. Shtetasi Tivari kishte shkuar atje për të marrë lëndë narkotike, por situata ka degjeneruar në debat dhe më pas në përleshje fizike. Gjatë konfliktit, ai dyshohet se e ka goditur disa herë me thikë shtetasin Beqiri, duke i shkaktuar vdekjen.

Pas kryerjes së krimit, Tivari është larguar nga vendngjarja me ndihmën e një personi tjetër, i cili e ka transportuar fillimisht drejt banesës së tij me një mjet taksi. Të dy janë arrestuar pak orë më vonë nga shërbimet e Policisë së Durrësit.

Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.


Valbon Beqiri