Gjykata e Apelit i ul 5 VITE BURG Francesco Becchettit, biznesmeni italian dënohet me 12 vite burgim!

Apeli i ul 5 vite burg Francesco Becchetti, biznesmeni italian dënohet me 12 vite burgim

Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm i ka ulur dënimin me 5 vite burg biznesmenit italian Francesco Becchetti, duke e dënuar përfundimisht me 12 vite nga 17.

Ulja e dënimit nga Apeli u dha bazuar në aplikimin e nenit 55, që parashikon bashkimin e dënimeve në një të vetëm.

I akuzuari tjetër në këtë proces, Mouro de Renzis u dënua përfundimisht me 12 vite burg, nga 16 vjet burg që e dënoi Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë.

Ndërsa në fuqi u la dënimi për Eriona Troplinin dhe Liliana Condimitti, të dënuara me nga 8 vite burg secila.

Francesco Becchetti është shpallur fajtor për krijimin e një skeme mashtrimi me TVSH dhe pastrim parash.

Ai u akuzua për 4 vepra penale; “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Falsifikim Dokumentesh”, “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”.

Gjyqi në Apel ndaj Becchettit është zvarritur prej disa kohësh. Nga janari i vitit 2024, seanca në Apel ishte shtyrë 20 herë.