GJKKO kalon për gjykim dosjen e kryebashkiakut Erion Veliaj

GJKKO vendosi të kalojë për gjykim dosjen e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Seanca e kaluar paraprake u zhvillua mes debateve, pasi kryebashkiaku Veliaj dhe avokatja e tij kryesisht, Valentina Teodoresku kërkuan shtyrje pasi argumentojnë se ende nuk janë njohur me të gjithë dosjen hetimore.

Megjithatë, gjyqtarja Deda e rrëzoi kërkesën e kryebashkiakut, ndërsa ky i fundit kërkoi përjashtimin e saj me argumentin se po i mohon të drejtën për mbrojtje efektive dhe më pas u largua nga seanca.

Gjyqtarja Deda vijoi seancën duke e cilësuar si të ezauruar fazën e mbrojtjes. Ndërkohë, të premten u rrëzua kërkesa e Veliajt për përjashtimin e gjyqtares Deda dhe do të jetë kjo e fundit që sot pritet të shpallë vendimin për kalimin ose jo për gjykim të dosjes Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës ndodhet në arrest me burg që prej 10 shkurtit 2025. Për gjykim është dërguar edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, si dhe 28 persona dhe shoqëri të tjera, pjesë e dosjes së njohur si “Veliaj”.