Sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri, Kryetari i Bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja dhe deputetja Desantila Tahiraj në një takim me banorë të fshatit Shirgjan diskutuan për rëndësinë e zgjedhjeve vendore dhe mosshpërdorimit të votës.
Teksa renditi disa investime shumë të rëndësishme në këtë zonë, Gjiknuri tha se kreu i Bashkisë, Gledian Llatja e njeh fshatin dhe problematikat e tij dhe para se të premtojë, ka marrë garancinë e qeverisë në përmbushjen e këtyre premtimeve.
“Këto zgjedhje vendore, jo vetëm për Bashkinë e Elbasanit, kanë rëndësinë e tyre. Mos e shikoni thjesht dhe vetëm si një garë lokale këtu mes dy njerëzve, por duhet ta shikoni në një prizëm pak më të gjerë politik. Shikojeni me vëmendje votën në mënyrë politike kësaj radhe. Këtu kemi një ekip politik, më ka mua, ka deputeten, ka Edi Ramën. Pra është një ekip politik që i jep garanci. Këtu ka një plan të qartë. Dimë se ku po shkojmë. Këta duan ta frenojnë zhvillimin. Ta ngecin në vend përsëri Shqipërinë apo ta kthejnë mbrapa. Gledi e ka prekur vetë fshatin, premtimet që bën i mirëmendon dhe i ka të garantuara që do të mbështeten financiarisht”, theksoi Gjiknuri.
Numri dy i Partisë Socialiste u shpjegoi banorëve të Shirgjanit pse po aq e rëndësishme është edhe vota për Këshillin Bashkiak. Gjiknuri nënvizoi se opozita do të tentojë të bllokojë Këshillin Bashkiak dhe për rrjedhojë, punët e mira të bashkisë.
“Kandidati kundërshtar Luçiano Boçi do riciklohet tani nga dy agallarët e Tiranës, Ilir Meta me Sali Berishën. Ata janë shefat e tij. Ka vetëm një qëllim, të marrë bashkinë, të punësojë ca militantë aty dhe pastaj të zbatojë porositë e Tiranës për ta ‘bunkerizuar’ Elbasanin për të filluar ato luftërat politike për të eksportuar revolucionin e foltores së Sali Berishës bashkë me Ilir Metën.
Prandaj them që kjo votë është e mirëfilltë edhe politike, dhe duhet ta vlerësojmë ashtu siç duhet. Qoftë për kryetarin e bashkisë, që vota për Gledin është dhe votë për Edi Ramën dhe për Partinë Socialiste, qoftë dhe këshillin bashkiak”, tha ai.
Gjiknuri u bëri thirrje banorëve të Shirgjanit që të mos lejojnë më 14 maj që projektet për Elbasanin të mbeten peng i një vote të një këshilltari në Këshillin Bashkiak.
“Pse këshillin bashkiak? Mos e lini kryetarin e bashkisë të jetë peng nesër i një vote të një këshilltari për interesa të vogla. Çojeni votën te ekipi i Partisë Socialiste. Pse? Është garanci dhe mbështetje për këtë që ato vendimmarrje që merren në bashki në funksion të qytetarëve ky t’i ketë të garantuara. Të mos negociojë aty me çdo individ për interesa të vogla. Prandaj them dhe votat për Partinë Socialiste në këshillin bashkiak që të kemi kryetar bashkie dhe këshillin të kontrolluar nga Partia Socialiste. Qeveria e Edi Ramës nga mbrapa do të furnizojë financiarisht të gjitha projektet që do të ketë Gledi”, përfundoi Gjiknuri.
Nga ana e tij Kryetari i Bashkisë Gledian Llatja foli për investimet e kryera në këto vite si unaza bujqësore, rrugët e fshatrave, kanalet kulluese, vaditëse etj. Llatja prezantoi para banorëve të Shirgjanit edhe Grupin Vendor të Veprimit, i pari organizim jofitimprurës i organizuar nga fermerët.
“Në janar kemi hapur Grupin Vendor të Veprimit që është i pari organizim jofitimprurës i organizuar nga fermerët dhe i lirë për të marrë pjesë të gjithë fermerët, për t’u futur në investime, në pikat e grumbullimit, në fabrikat e vajit, në pikat e konservimit, për të ndihmuar banorët dhe zonat aty ku duhet. Bashkia këtu futet, jo vetëm si garante ndërmjet fondeve të Bashkimit Europian apo edhe të qeverisë, por edhe vetë me financime. Nëqoftëse mendojmë se Bashkia ka një mënyrë tjetër për të ndihmuar drejtpërdrejt fermerin hajde ta flasim dhe ta diskutojmë” tha Llatja.
Llatja vuri në dukje edhe problemin me azhornimin e tokave, ku garantoi se bashkia do të ndihmojë ASHK-në me burime njerëzore, në mënyrë që ky proces të përfundojë sa më parë.
“Ne kemi patur dhe kemi një problem të trashëguar, për azhornimin e tokave. Shumë shpejt do të vijnë topografët në terren për të matur të gjithë pjesën që ka qenë e papërcaktuar qartë për pjesën e azhornimit”, deklaroi kreu i Bashkisë.
Deputetja e zonës Desantila Tahiraj kërkoi mbështetje nga banorët e Shirgjanit të cilët gjithmonë kanë treguar se e duan vendin e tyre dhe ia besojnë atyre që dinë të punojnë.
“Jemi pikërisht në fshatin më të madh të njësisë administrative Shirgjan, me ekipin më të mirë dhe më të madh të Partisë Socialiste. Në fakt në këtë fshat vijmë dhe kërkojmë mbështetje që e kemi marrë gjithmonë pa diskutim për Partinë Socialiste dhe do ta kemi edhe këtë herë për Gledin. Gledi përfaqëson PS, përfaqëson Edi Ramën, përfaqëson partinë më të madhe në territor që është e vetmja forcë serioze e organizuar dhe që mendon gjithmonë politika sociale për njerëzit”, tha Tahiraj.
(Tekst i gatshëm i shpërndarë nga zyra e shtypit e kandidatit Llatja)
