Gjeti një unazë para Prokurorisë së Posaçme, Kryemadhi batuta me gazetarët: Po e çoj në SPAK, ose të paguaj avokatin

TIRANË- Ish-deputetja Monika Kryemadhi para se të futej në ambientet e SPAK tha se kishte gjetur një unazë me diamant dhe rubin, sapo kishte zbritur nga makina. Duke bërë batuta me gazetarët, Kryemadhi tha se do ta dorëzojë unazën në SPAK, ose do ta shesë për të paguar avokatin e saj.

“Gjeta një unazë dhe thoni pastaj që s’jam me fat. Është me rubin dhe me diamant, e kam gurin e fatit unë këtë. Kjo rrugë është nën vëzhgim. E gjeta sapo zbrita. Po e çoj në SPAK, ose të paguaj avokatin. Mund ta ketë hedhur ndonjëra që është zënë, i ka thënë ‘nuk e dua unazën tënde’.”, tha Kryemadhi.

Ditën e sotme, ajo do të njihet me akuzat e ngritura ndaj saj nga Prokuroria e Posaçme. Kryemadhi po hetohej nga SPAK për tre akuza, pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim të ardhurash. Gjykata la në fuqi më 23 tetor masën “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj Kryemadhit, për të njëjtat vepra penale.