Gjendet pa jetë pas 3 javësh kërkime 77-vjeçari i zhdukur

Pogradec, 29 qershor 2025 – Një 77-vjeçar që ishte larguar nga banesa prej disa javësh është gjetur i pajetë këtë të shtunë në zonën e Piskupatit, në Pogradec.

Sipas të dhënave paraprake, bëhet fjalë për shtetasin Nazif Mucco, i cili ishte larguar nga shtëpia më 6 qershor. Largimin e tij e kishte denoncuar bashkëshortja në polici disa ditë më vonë, duke ngritur alarmin për fatin e tij.

Trupi i pajetë është gjetur këtë mëngjes, ndërsa policia ka shkuar në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e ngjarjes. Deri më tani, nuk dihen shkaqet e vdekjes dhe pritet ekspertiza mjeko-ligjore për të hedhur më shumë dritë mbi rastin.