Gjendet në Tiranë 15-vjeçari i zhdukur në Shkodër

15-vjeçari Aurel Bibaj nga Postriba i cili prej dy ditësh kishte humbur kontaktet, është gjetur nga policia e Shkodrës në bashkëpunim me komisariatin nr. 5 në Tiranë dhe ndihmën e familjarëve.

15-vjeçari është gjetur në zonën e Babrrusë në Tiranë, ndërsa ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.

Prej dy ditësh i mituri kishte humbur kontaktet me familjen e tij në Postribë. Mëngjesin e djeshëm pasi ka lënë vëllain në shkollë, është larguar duke mos u futur në mësim dhe nuk ka shkuar as në shtëpi. Kjo ka shqetësuar prindërit, ndërsa babai i tij Agim Bibaj denoncoi në polici rastin dhe ditën e sotme edhe në media duke thënë se djali tij sipas dëshmisë së shokëve të 15-vjeçarit është larguar, pasi babai i kishte bërtitur që të sillej mirë.

Pas një angazhimi të policisë, 15-vjeçari u gjet nga forcat e policisë dhe i është dorëzuar familjes.

Tashmë do të merret në pyetje në praninë e psikologëve për arsyet e largimit të tij nga banesa dhe po ashtu do të trajtohet me psikologë.