Gjendet në Tiranë 14-vjeçarja e zhdukur në Durrës

Tiranë/Durrës, 18 mars 2026 – Një vajzë 14-vjeçare nga Durrësi, e cila u largua nga banesa mëngjesin e sotëm, është gjetur në Tiranë dhe është kthyer tek familja e saj.

Policia e Durrësit kishte shpallur të miturën në kërkim pas njoftimit të marrë nga familja, ndërsa policia e Tiranës koordinoi rikthimin e saj.

14-vjeçarja, nxënëse e shkollës “Qemal Mici”, u largua nga shtëpia rreth orës 6:40 të mëngjesit. Nëna e saj, B. Tusku, tregoi se vajza ishte në shtëpi deri rreth orës 5:00, dhe pas syfyrit, kur u zgjuan rreth orës 6:30, vajza nuk ndodhej më në dhomë.

Familjarët thanë se vajza kishte shprehur shqetësime ditët e fundit, duke u ndjerë e kërcënuar nga disa persona pas orarit të mësimit. Në dhomën e saj ishte gjetur një letër ku shkruante: “Po largohem, mos më kërkoni.”

Pas koordinimit të policisë, adoleshentja u rikthye e sigurt tek familja, ndërsa autoritetet po vazhdojnë të shqyrtojnë rrethanat që çuan në zhdukjen e saj.