Gjenden 160 bimë kanabisi në Zavalinë të Elbasanit. Shpallet në kërkim autori, nis procedimi për dy inspektorë dhe kryetarin e fshatit

Në Elbasan kuadër të operacionit policor të koduar “Krasta”, në një zonë pyjore, në fshatin Seltë, njësia administrative Zavalinë, u gjetën dhe u asgjësuan nëpërmjet djegies, 160 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa. Si rezultat i veprimeve hetimore për këtë rast, u identifikua dhe u shpall në kërkim autori i dyshuar i kultivimit të këtyre bimëve narkotike, shtetasi A. D., 53 vjeç, banues në Tiranë, si dhe u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasit Y. Ç., 56 vjeç, F. L., 45 vjeç (me detyrë inspektorë pyjesh në zonat e Gjinarit dhe Zavalinës) dhe K. B., 55 vjeç (kryetari i fshatit Seltë). Vijon puna për kapjen e 53-vjeçarit.

Në vijim të veprimeve procedurale në kuadër të operacionit “Çereshta”, në Elbasan të zhvilluar më 18 qershor 2023, nga Policia e Librazhdit, ditën e djeshme u gjetën dhe u asgjësuan nëpërmjet djegies, 92 bimë të tjera të dyshuara narkotike cannabis sativa. Në total nga ky operacion janë asgjësuar 672 bimë dhe fidanë narkotikë cannabis sativa. Autorë të kultivimit të këtyre bimëve dhe fidanëve, dyshohet të jenë shtetasit e shpallur në kërkim S. D. dhe K. D. Gjithashtu, gjatë kontrolleve përreth territorit ku u gjetën bimët narkotike, në një tendë kampingu, të dyshuar të përshtatur për qendrim, nga shtetasit S. D. dhe K. D., u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa, e ndarë në 2 qese plastike. Vijon puna për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim.