Dy shoferë nga Maqedonia e Veriut janë gjobitur me nga 600 mijë lekë të vjetra, pasi u filmuan duke kryer manovra të rrezikshme në bajpasin e Vlorës.
Policia ka arritur t’i identifikojë pas publikimit të videos në rrjetet sociale, ku dalloheshin makinat luksoze duke kryer parakalime të rrezikshme.
Njoftimi i Policisë:
Në lidhje me një video të publikuar në rrjetet sociale, në të cilën shfaqen dy automjete duke kryer manovra të rrezikshme në aksin rrugor Vlorë–Orikum, në segmentin e quajtur “Bypass”, ju informojmë se:
Pas verifikimeve të kryera nga shërbimet e Policisë Rrugore Vlorë, rezultoi se drejtuesit e këtyre automjeteve kanë kryer disa shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, si më poshtë:
• Nuk kanë rregulluar shpejtësinë në kthesa me fushëpamje të kufizuar;
• Kanë zhvilluar gara shpejtësie me njëri-tjetrin, duke vënë në rrezik përdoruesit e tjerë të rrugës;
• Nuk kanë ruajtur pozicionin e mjetit në karrexhatë;
• Kanë kryer parakalim në kthesë, në kundërshtim me dispozitat e Kodit Rrugor.
Për këto shkelje të konstatuara, bazuar në dispozitat e VKM nr. 153, neni 350, si dhe në nenet përkatëse të Kodit Rrugor, ndaj dy pronarëve të automjeteve, shtetas nga Maqedonia e Veriut, është vendosur masë administrative me vlerë 62 000 lekë secilit.
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor në numrin 112, duke i garantuar reagim të menjëhershëm dhe konform ligjit.
