Fshatrat drejt braktisjes, shkaqet sipas dëshmive të banorëve

Nga Distina Dashhana

Fshatrat që rrethojnë shkollën e mesme të Kuqanit janë shumë dhe jo shumë vite më parë rrugët e tyre gumëzhinin nga nxënës që shkonin drejt gjimnazit me transport publik madje edhe në këmbë për të vazhduar arsimin e mesëm që vite më parë nuk kishte asnjë ndryshim në cilësi me qytetin. Tashmë situata ka ndryshuar. Edhe pse ndodhën 2-3 kilometër larg qytetit, këto fshatra po braktisen nga mungesa e infrastrukturës, mungesa e kushteve për jetesë, e prodhimeve të ndikuar edhe nga ndotja e mjedisit si dhe vështirësitë e daljes në treg me ato pak produkte që arrijnë të kultivojnë. Mungesa e infrastrukturës përball çdo ditë me vështirësi nxënësit e paktë që kanë mbetur për të frekuentuar gjimnazin.  Çdo ditë për ta ishte një sfidë, pasi u duhet të bëjnë kilometra të tërë në këmbë për të arritur në shkollë.

Një nxënësi nga fshati Tudan i duhet  rreth 40 minuta që të mbërrinte në gjimnaz. Përpos rrugës  së gjatë që ata kishin për të bërë, nxënësve u duhet që të kapërcenin edhe vështirësitë e rrugës,  pasi ajo është në një gjendje shumë të keqe, me shumë gropa gjë që në ditët me shi rrugëtimi bëhet pothuajse i pamundur.

Banorët e fshatit Kryezjarr në qytetin e Elbasanit po përballen çdo ditë me braktisjen dhe indiferencën e shtetit. Janë rreth 200 familje jetojnë mes vështirësive.  Kryezjarri pjesë e njësisë administrative Shirgjan ndodhet 3 kilometër larg qytetit të Elbasanit. Pranë tij prej shumë vitesh ka funksionuar Uzina e prodhimit dhe më pas e demontimit të armëve dhe municioneve e njohur si “Uzina e Mjekësit”. Banorët akuzojnë këtë uzinë si shkakun e shkretëtimit të zonës edhe pse asaj I atribuojnë vendosjen e një urbani dhe asfaltimin e gjysmës së rrugës.

Vasia, një grua rreth të 60-ave thotë se pas viteve 90-të ku burrat e djemtë ikën në emigracion kjo është braktisja e dytë e madhe e fshatit.

“Jemi zonë e harruar. Këtu vijnë vetëm për vota dhe kur mbarojnë votimet zhduken. Edhe pak kohë dhe Kryezjarr nuk do ketë më. Të gjithë kanë ikur, të rinjtë në emigracion, Tiranë apo Elbasan. Këtu kanë mbetur vetëm mosha e mesme dhe mendoni që ka vetëm dy apo 3 fëmijë të vegjël si fshat. Ne kemi pasur fatin të kemi Uzinën e Mjekësit afër shtrohej rruga deri vonë dhe rruga shkonte deri pranë urës. Nuk e di në është fat uzina pasi pas vënies në funksion të saj ne nuk kemi prodhime. Toka nuk prodhon e as pemtaria. Mendoj se vjen nga ndotja e kësaj uzine”.

Maria Miraku, një studente në master thotë se arsyet e braktisjes janë shumë por kryesoret janë që toka nuk prodhon dhe mungon infrastruktura. “Duket si zonë e begatë por toka në Kryezjarr nuk prodhon. Mund të ketë ndikuar ndotja nga uzina, mund të jetë mungesa e infrastrukturës se kanë shumë vështirësi ti nxjerrin ato pak prodhime në treg por braktisja duket e pashmangshme. Të rinjtë ose janë larguar në emigracion ose drejt Tiranës apo Elbasanit. Është e vërtetë që jemi afër qytetit por edhe pse jemi aq afër jeta aty është e vështirë dhe detyrimisht do largohemi”.

Kryeplaku i fshatit Ligor Dedja i pyetur nëse janë kërkuar ndërhyrje për fshatin Kryezjarr, tha se disa herë është bërë një gjë e tillë por ende ky fshat nuk ka pasur asnjë investim. “Ne kemi kërkuar në takime dhe kur kanë ardhur këtu në fshat për fushata por deri tani asgjë nuk është bërë”.

Në Kryezjarr gjithashtu paguhet taksë ndriçimi por ndriçimi nuk ekziston. Eltoni thotë se  “Unë kam paguar të gjitha taksat se më duhej të merrja një çertifikatë. Në listë është edhe ndriçimi por ndriçim në fshat nuk ka”.

Për çështjen i kemi nisur edhe një kërkesë për koment bashkisë Elbasan dhe deri në momentin e publikimit nuk është marrë asnjë përgjigje.